Albin Kurti për koncertin e Ermonela Jahos në Prishtinë: Na çoi në Itali pa lëvizur asnjë hap
Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u shndërrua në një skenë operistike nën tingujt e jashtëzakonshëm të sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.
E pranishme në këtë ngjarje kulturore ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një statusi në Facebook ndau emocionet dhe përshtypjet e tij për performancën e sopranos.
“Po, mund të jesh në Kosovë dhe në Itali në të njëjtën kohë”, shkroi Kurti, duke e përshkruar koncertin si një udhëtim artistik drejt Italisë së Puccinit dhe Verdit, pa lëvizur asnjë hap – vetëm përmes zërit të Jahos.
Kryeministri e vlerësoi me superlativa paraqitjen e artistes, duke theksuar mjeshtërinë e saj të rrallë dhe kontrollin emocional të cilin e solli me hir dhe pjekuri të thellë artistike. “Emri i saj, që për ne tingëllon si ‘dëshirë’, u bë realitet i paharrueshëm për mijëra zemra që e dëgjuan”, shtoi ai.
Koncerti, që solli vepra të mëdha të repertorit klasik nga Puccini e Verdi, u realizua në bashkëpunim mes Orkestrës së Operës së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e maestros italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Në përfundim të reagimit të tij, Kurti theksoi se kjo është fuqia e artit të vërtetë – të të çojë diku tjetër pa u larguar nga vendi yt. Ai gjithashtu ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të mbështetur artin dhe kulturën, duke synuar që institucionet kulturore të Kosovës të zënë një vend të denjë në hartën ndërkombëtare artistike. /Telegrafi/







































