Alarm i kuq në Francë për shkak të nxehtësisë, ndalohet alkooli - trenat anulohen


Franca ka ndaluar alkoolin në disa evente në një festival masiv kombëtar muzikor, ndërsa një valë e të nxehtit i çon temperaturat drejt niveleve rekord.
Festimet vjetore të Fête de la Musique tërheqin miliona njerëz në rrugët e Francës.
Por, me një të tretën e vendit të mbuluar nga paralajmërimet më serioze për valë të të nxehtit, qeveria ka ndaluar konsumin e alkoolit në vendet publike për shkak të alarmit të kuq.
"Për të gjitha ngjarjet e organizuara nga shteti dhe agjencitë e tij, janë dhënë udhëzime që të mos ofrohet alkool", tha zyra e Kryeministrit Sebastien Lecornu.
Temperaturat prej 39-40°C priten nga jugperëndimi përmes rajonit të Parisit në Burgundy, me disa zona që mund të arrijnë 41°C.
Temperaturat parashikohet të arrijnë kulmin të hënën dhe autoritetet kanë paralajmëruar se ato mund të arrijnë nivele rekord.
Qeveria ka bërë thirrje për kufizime në konsumin e alkoolit "për të ruajtur shërbimet e urgjencës dhe të kujdesit shëndetësor dhe për t'i lejuar stafit mjekësor të përqendrohet në kujdesin për më të prekshmit".
Një valë e fortë nxehtësie është përhapur mbi Evropën, me shumë vende që kanë parë temperatura 10-15 gradë Celsius mbi mesataren sezonale.
Vala e të nxehtit ka vazhduar prej ditësh dhe ka trazuar vendin, duke detyruar anulimin e dhjetëra trenave dhe pezullimin e mësimit.
Shërbimi meteorologjik i Francës, Météo-France, tha se ishte “e pasigurt” se sa do të zgjaste vala e të nxehtit, e cila është vlerësuar se do të prekë rreth tre të katërtat e popullsisë.
Për të ndihmuar parisienët dhe turistët të përballojnë vapën, autoritetet po i mbajnë parqet dhe kopshtet në kryeqytetin francez të hapura gjatë gjithë natës. /Telegrafi/




































