Aktakuzë ndaj ministrit Fikrim Damka, dyshohet për dëmtim të buxhetit mbi 1 milion euro
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Fikrim Damka dhe Kamberaj akuzohen se gjatë periudhës 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro”, thuhet në njoftim.
Tutje, Prokuroria tha se i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe t’iu shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efetkiv./Telegrafi/






























