Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Suharekë, ku gjatë kontrollit në një banesë janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, armë dhe mjete të tjera të dyshuara të rrezikshme.

Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, më 11 mars 2026, pas një urdhri me shkrim nga Gjykata Themelore në Prizren, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë kryer kontroll në shtëpinë ku banonte i dyshuari me inicialet L.Sh. në Suharekë.


Gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar rreth 178.72 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.91 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Po ashtu, policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri automatike, që dyshohet të jetë me gas, të markës BLOW/SWAT pa numër serik, me një karikator, si dhe 16 fishekë të kalibrit 9 mm. Në vendngjarje janë gjetur edhe një rrotull foli alumini dhe një telefon mobil.

Sipas policisë, gjatë kontrollit janë zbuluar edhe katër shishe të përgatitura në mënyrë artizanale, të dyshuara se përmbanin lëndë djegëse me mekanizëm ndezës. Për shkak të rrezikshmërisë së tyre, në vendngjarje është thirrur njësia EOD e policisë, e cila i ka tërhequr ato për trajtim dhe asgjësim të sigurt.

Në banesë janë sekuestruar gjithashtu 350 euro dhe 60 franga zvicerane para të gatshme, si dhe një çelës i derës së banesës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa ai është dërguar në qendrën e ndalimit.

Rasti është iniciuar për veprat penale sipas neneve 267 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren.