LAJMI I FUNDIT:

AKP-ja lëshon me qira 20 pompa të benzinës

AKP-ja lëshon me qira 20 pompa të benzinës

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), po pretendon t’i lëshojë me qira rreth 20 pika të benzinës të cilat kanë qenë të uzurpuara nga persona të ndryshëm. Po ashtu, AKP-ja po pretendon që të mbushë arkën me të hyra edhe nga dhënia me qira e shumë aseteve të tjera. Uzurpatorët dhe ish-uzurpatorët janë përjashtuar nga gara e konkurrimit

Njëzet pika të shitjes së karburanteve në gjithë territorin e Kosovës po lëshohen me qira nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Kjo Agjenci ka bërë shpallje publike për qiradhënie për rreth 20 pika të derivateve që u mbajtën ilegalisht nga persona të ndryshëm.


Këto asete të ndërmarrjeve shoqërore “INA Trgovina Zagreb” dhe “Jugopetrol” janë në disa lokacione të Kosovës.

“Periudha e qiradhënies për rastet komerciale është për 12 muaj, ndërsa për pompa të benzinës është për 24 muaj, me mundësi vazhdimi gjithashtu edhe ndërprerje për shkaqe të privatizimit. Kriteri për përzgjedhjen e ofertuesit fitues të njësive përkatëse do të jetë çmimi i ofertës më të lartë”, ka bërë të ditur AKP-ja.

Sipas kritereve të ofertës, ofertuesi fitues është i obliguar që të paguajë shumat me pagesa të rregullta paraprake mujore, duke filluar me pagesën e parë të caktuar në fillimin e kësaj kontrate të qirasë, dhe deri në masën që është e zbatueshme, me pagesa mujore në vijim, të caktuara në të njëjtën ditë të muajit vijues.

Sipas kritereve të vendosura nga AKP-ja çdo uzurpatori të ndërmarrjeve shoqërore i është mohuar e drejta për të garuar.

“Ofertuesit me ndalesë ofertimi: Personat fizikë apo juridikë të cilët kanë uzurpuar paluajtshmërinë në pronësi shoqërore, ndaj të cilëve Agjencia apo NSh-ja ka iniciuar procedurë gjyqësore për lirimin e pronës dhe kompensimin e dëmeve eventuale; Personat fizikë dhe juridikë që: (I) nuk i kanë respektuar kushtet e ndonjë kontrate të lidhur me Agjencinë ose me çfarëdo ndërmarrje që administrohet nga Agjencia (ekzistenca dhe natyra e atij mosrespektimi do të përcaktohet nga Agjencia sipas zgjedhjes së saj), (II) kanë borxh ose gjobë të pashlyer ndaj Agjencisë, ose ndonjë ndërmarrjeje që administrohet nga Agjencia, (III) personat fizikë ose juridikë të cilët nuk kanë paguar gjobat e caktuara nga Agjencia ose që i nënshtrohen ndonjë kërkesëpadie ose kontesti (pa marrë parasysh nëse çështja e tillë është ngritur në gjykatë apo tjetërkund)”, thuhet në njërin prej kritereve të vendosura nga AKP-ja. /Zëri/Telegrafi/