LAJMI I FUNDIT:

AKB: Viti 2018 ishte vit i tkurrjes së ekonomisë

AKB: Viti 2018 ishte vit i tkurrjes së ekonomisë

Gjatë këtij viti Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) ka pasur bashkëpunim të ngushtë me gjithë spektrin ekonomik, biznesor, politik dhe atë ndërkombëtar, për të sensibilizuar brendin e Kosovës që të jetë një brend më i fuqishëm dhe i njohur ndërkombëtarisht, kështu është shprehur kryetari i AKB-së, Agim Shahini në konferencën e fund vitit.

Shahini tha se vitin 2018 ishte një vit i tkurrjes ekonomike dhe diplomacisë politike, ku sipas tij, ka pasur tkurrje të investimeve


“Vetëm në gjashtë mujorin e parë ishin mbi 100 milionë euro, ndërsa në këtë tremujorin e fundit të këtij viti janë mbi 50 milionë. E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i politikave jo të mira për zhvillim ekonomik të vendit, por edhe rezultat i politikave diplomatike të cilat nuk ishin fuqizuar në arenën ndërkombëtare, duke mos i sjellë Kosovës edhe më shumë njohje e më shumë të arritura në aspektin diplomatik”, tha Shahini.

Ai tha se AKB vlerëson se ka pasur dhe suksese, duke përmendur vendosjen e tarifës 100 për qind.

“Vendi ka shënuar edhe suksese të ndryshme sidomos krijimit të mekanizmave shtetërore. Suksesi më i madh i këtij viti ishte themelimi i ushtrisë. Po ashtu, edhe vënia e taksës 100 për qind ishte një sukses tjetër i rëndësishëm, ku ekonomia e vendit arriti të rritet në të gjitha fushat, sidomos të sektorit prodhues. Janë rritur edhe shkëmbimet tregtare me Shqipërinë e disa vende mike”, tha ai.

Në fund, Shahini ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria mbeten sektorë të rëndësishëm për konkurrencën në Ballkan, por dy shtetet duhet bërë më shumë për të krijuar favore për ekonominë. /Telegrafi/