Ajvazi: Produktet “Made in Kosova” tashmë njihen ndërkombëtarisht, hapen mundësi të reja për eksport në Evropë


Produktet e prodhuara në Kosovë tashmë njihen zyrtarisht me origjinën “Made in Kosova” dhe mund të identifikohen me barkod ndërkombëtar, një zhvillim që pritet t'ua lehtësojë prodhuesve vendorë depërtimin në tregjet evropiane dhe në rrjetet e mëdha të shitjes.
Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në "Përballje Podcast", me kryeredaktorin e Telergafit, Muhamet Hajrullahu, duke e cilësuar këtë si një nga arritjet më të rëndësishme për industrinë prodhuese në vend.
Sipas tij, që nga shkurti i vitit 2026, Kosova është pjesë e sistemit ndërkombëtar të barkodeve GS1, duke bërë që produktet vendore të kenë identitet të njohur ndërkombëtarisht.
"Tash e ki barkodin ndërkombëtar 'Made in Kosovo'. Kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 2026 dhe është rezultat i një angazhimi të madh të Odës Ekonomike të Kosovës", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.
Ai shtoi se një tjetër zhvillim i rëndësishëm është njohja ndërkombëtare e origjinës së produkteve të prodhuara në Kosovë.
"Origjina e produktit që lëshohet sot në Kosovë, kudo që shkon, njihet ndërkombëtarisht si produkt i prodhuar në Kosovë. Këta janë dy hapa shumë të mirë dhe shumë pozitivë për prodhuesit vendorë", u shpreh Ajvazi.
- YouTube www.youtube.com
Sipas tij, këto arritje janë realizuar falë angazhimit të Odës Ekonomike të Kosovës, pa pasur nevojë për ndërhyrje politike apo subvencione shtetërore.
"Ne nuk po kërkojmë që dikush të na subvencionojë. Të paktën të na krijohen procedurat që na ndihmojnë të zhvillohemi. Këta dy hapa janë bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje politike", tha ai.
Ajvazi theksoi se njohja ndërkombëtare e barkodit dhe e origjinës së produkteve vendore u krijon kompanive kosovare mundësi të barabarta për të hyrë në tregjet evropiane.
"Produkti që prodhohet sot në Kosovë është i barabartë në raftin e Lidl-it në Gjermani me cilindo produkt tjetër në botë. Nëse sot dëshiron të depërtosh në tregun evropian, e ke shumë më të lehtë se më parë", deklaroi Ajvazi.
Sipas tij, ky zhvillim jo vetëm që rrit besueshmërinë e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare, por krijon edhe mundësi të reja për rritjen e eksporteve dhe promovimin e brendit "Made in Kosovo" në Evropë./Telegrafi/.

































