LAJMI I FUNDIT:

AI Seinfeld: Është rikthyer shfaqja për asgjë – dhe tani shkruhet nga robotët

AI Seinfeld: Është rikthyer shfaqja për asgjë – dhe tani shkruhet nga robotët

Seinfeld u hoq nga transmetimi në vitin 1998, por në fakt kurrë nuk është zhdukur – ka qenë subjekt i rikrijimeve moderne, i llogarive në mediat sociale të dedikuara për këtë seri dhe ndërthurjeve të hip-hopit dhe TV-së. Megjithatë, mishërimi i tij i fundit është më i çuditshmi deri tash.

Nothing, Forever [Asgjë, përgjithmonë] është version i pafund i krijuar nga AI [inteligjenca artificiale] i shfaqjes që transmetohet në Twitch nga mesi i dhjetorit të kaluar. Tregon “historinë” – nëse mund ta quani kështu – të katër personazheve, Larry, Fred, Yvonne dhe Kakler, të cilët duken ashtu siç do të dukeshin personazhet Jerry, George, Elaine dhe Kramer nëse ata do të përfshiheshin në një lojë kompjuterike të viteve 1990. Kalojnë ditët duke diskutuar për jetën dhe çështjet tjera të parëndësishme. Dhe, nuk ndalen kurrë, bash kurrë: futesh në cilëndo orë dhe aty janë, duke folur për cilësinë e kafesë ose një lojë të vështirë të Monopolit.


Dialogu vjen nga GPT-3 i OpenAI-së, gjenerues teksti i lidhur ngushtë me shërbimin ChatGPT që ka bërë së fundmi bujë; një kompani tjetër është përgjegjëse për teknologjinë që qëndron pas fjalëve. Për më tepër, “kemi shumë algoritme gjeneruese të patentuara që e bëjnë shfaqjen të jetë e ‘formuar’, nëse mund të themi kështu”, tha për Polygon, Skyler Hartle nga Mismatch Media. “Kolektivisht këtë logjikë e quajmë ‘regjisor’, pasi është kryesisht përgjegjës për të qenë i sigurt se të gjitha pjesët individuale do të bashkohen në tërësi”.

Pashë 22 minuta të Nothing, Forever, për të bërë paralele me përvojën e një episodi të vetëm të Seinfeld-it dhe nuk mendoj se autorët e komedisë duhet të kenë sot frikë për punët që ata bëjnë. Nuk kam qeshur as edhe një herë, pavarësisht nga inkurajimi që jepte qeshja e incizuar e bujshme dhe entuziaste.

Megjithatë, nuk është puna këtu. I nisur si “projekt i artit të pakuptimtë, surreal”, siç tha Hartle për Vice, është përvojë rastësisht distopike që kryesisht shërben për të demonstruar potencialin e inteligjencës artificiale – sa mahnitëse aq edhe alarmante.

Kur e hapa transmetimin, Larry dhe Fredi bënin atë që bëjnë gjithmonë: duke lëvizur pa ndonjë qëllim rreth një apartamenti, me trupat e tyre të valëzuar në mënyrë të frikshme. Kur nuk e humbin kohën kot duke u marrë pa arsye me mikrovalën, bien me fytyrë në divan para se të rimaterializohen papritmas në një pozicion vertikale.

Në këtë skenë të veçantë, Fredi, analogu i Georgeit, i tregon mikut të vet më të mirë për një partnere të re. “Ajo është ndryshe nga çdo vajzë tjetër të cilën e kam takuar ndonjëherë”, thotë ai.

“Si ndryshe?” Larry aka Jerry po pyet, me një të qeshur të madhe që vjen nga publiku kinse i pranishëm.

Dhe, kjo kinse shaka ishte larg befasisë së vetme në emision. Momentet tjera që e kishin vënë “audiencën” në të qeshura përfshinin Larryn duke pyetur Fredin se çfarë po bënte, ndërsa Yvonne/Elaine pyeste se çka është puna me këpucët e reja që Fredi i ka marrë. Më pas ndodhi biseda e mëposhtme:

Yvonne: Pse mendoni se dyqani i ri i bagelave është kaq popullor?
Larry: Kjo është e lehtë, kanë bagelat më të mira në qytet.
Yvonne: Vërtet? Jam e befasuar (audienca ulërin).

Kishte gjithashtu disa shaka të vërteta, të cilat nuk e morën vlerësimin e vazhdueshëm nga incizimet e të qeshurave, si ajo kur Larry pyeti “Çfarë ka lartë? Qiell, sigurisht”. Ndonjëherë, personazhet shkonin aq larg sa të njoftonin se po e tregojnë një shaka:

Larry: Çfarë tha qeni kur hyri në bar?
Fredi: Nuk e kam idenë.
Yvonne: Kuak, kuak.

Heshtja e vdekur e pasoi këtë batutë të mirë, e cila ishte ndoshta më e mira në 22 minuta. Në fakt, heshtjet e gjata janë në çdo skenë; “aktrimi” ta kujton një shfaqje të klasës së katërt, në të cilën fëmijët, pasi i kanë mësuar përmendësh rreshtat, i shqiptojnë me shumë kujdes dhe me mungesë totale të njerëzores. Shikojeni për më shumë se 10 minuta dhe e gjithë kjo bëhet një lloj i sorollatjes së pashpirt.

Në fakt, përtej përbërjes – katër miqve, apartamenteve dhe skenave të rastësishme në ndonjë klub komedie – ka pak gjëra seinfeldiane në këtë shfaqje.

Ndoshta ndryshimi më i madh është te personazhet: po, duken si Jerry, George, Elaine dhe Kramer, por këta avatarë të rinj janë shumë të sinqertë. Protagonistët e Seinfeld-it nuk do të pranonin t’i thoshin gjërat që i thonë këta. Në një skenë të klubit të komedisë, për shembull Larry pyet audiencën: “A keni pasur ndonjëherë ndonjë nga ato ditët ku sado që përpiqeni, asgjë nuk shkon siç duhet? Po, të gjithë ishim atje”.

Më vonë, Fredi thotë se po planifikon të shkruajë një libër “se si ia dola t’i kalojë kohët më të vështira”. Larry ofron një kundërpërgjigje klasike të Seinfeldit: “Sigurisht që ke kaluar nëpër shumë gjëra. Tingëllon si histori e mrekullueshme. Sigurisht se jam i interesuar ta lexoj kur e përfundon”. Kush do ta kishte menduar se personazhet e gjeneruara automatikisht do të kishin kaq shumë ndjeshmëri?

Gjithë kjo duket ashtu siç një shkrimtar i fantashkencës i viteve 1980 mund ta imagjinonte një shfaqje televizive të krijuar nga robotët e së ardhmes. E, kjo natyrisht se është mu kështu. Tingëllon mërzitshëm, si një lloji i përmbajtjes me të cilën për 20 vjet mund të na ushqejnë zotët tanë të korporatave për ta shkrirë trurin tonë dhe për ta siguruar pajtueshmërinë e rehatshme.

“Teknologjia vërtet është e përshtatshme në shumë mënyra, por mund të jetë gjithashtu e rrezikshme”, thotë Fredi në një nga rreshtat çuditërisht vetëdijesues të shfaqjes. “Mendoj se na takon neve të vendosim se kur ia vlen të rrezikojmë”. Meritat shkojnë për krijuesit për këtë arritje të jashtëzakonshme – një eksperiment i lezetshëm dhe i çuditshëm që hedh pak më shumë dritë mbi këtë çështje. /Telegrafi/