LAJMI I FUNDIT:

“Ai që s’është gjendje të lexojë artin, ai nuk është në gjendje as të udhëheq”!

“Ai që s’është gjendje të lexojë artin, ai nuk është në gjendje as të udhëheq”!

Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, në Shqipëri arrin kulmin një lëvizje kulturore që më vonë do të quhet “Liberalizmi”. Kjo ishte koha kur numri i televizorëve shtohej e me këtë edhe qasja në kanalet televizive italiane. Me “Liberalizimin” besohej se vendi do të ndryshojë për të mirë, sepse arti është shpresa që nxit proceset pozitive, kudo.

Në fund të vitit 1972, finalizohet një dokumentar me ngjyra, i vetmi në atë kohë, e ndoshta më i miri që është bërë në Shqipërinë komuniste. Xhirimet kërkonin dy muaj kohë, për të përfshirë pjesët më interesante të vendit – nga veriu në jug. Realizimi bëhej nga Kinostudio “Shqipëria e re”, ndërsa financohej nga Drejtoria e “Turizmit”.

Si statistë ishin përzgjedhur me kujdes studentët e vitit të parë, vajzat dhe djemtë më të bukur, që vizitojnë viset më unike të vendit. Skenari ishte i thjeshtë. Sepse, ishte bukuria natyrore apo monumentet historike ato që flisnin më shumë.

Por, në vitin 1972 ndodhë një “skandal”: Festivali i 11-të i këngës në RTSH, që u mbajt më 22-25 dhjetor të vitit 1972 në Tiranë. Ky festival, që sillte një frymë të re në muzikë dhe paraqitje skenike, u dënua si diçka që përhapte kulturë borgjeze perëndimore. Organizatorët dhe pjesëmarrësit u dënuan me burgime të gjata. Dhe, ky festival ishte shkas që të censurohej dokumentari shumë i kushtueshëm e me vlerë, “Shqipëria turistike”!

Arsyet mund të jenë të shumta, por ndoshta është bukuria ajo që pengonte më së shumti sistemin e kohës. Në dokumentar shfaqeshin monumentet historike, skulpturat dhe ikonat e vjetra, tradita, muzika, veshjet popullore, bukuria fizike shqiptare, bukuritë natyrore… Nuk shfaqej klasa punëtore, fabrikat, pra të arriturat e komunizmit të Shqipërisë.

Kështu, vepra që shpërfaqte shumë bukuri që demokracia e egër me të madhe i shkatërroi, u censurua. Atë mund ta shihnin vetëm të huajt, si mjet propagande, po jo edhe vendasit.

Për këtë dokumentar bëhet një dokumentar tjetër nga Fabian Kati, i quajtur “Dokumentari i pashfaqur”. Në të flasin realizatorët dhe disa nga studentët e dikurshëm që vizitonin anët e panjohura të vendit të tyre.

Në realizmin e Katit, regjisori Mark Topallaj, teksa shpreh zhgënjimin e madh se pse është ndaluar vepra e tij, thotë: “Ai që s’është gjendje të lexojë artin, ai nuk është në gjendje as të drejtojë (udhëheq)”! /Telegrafi/