LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Po realizojmë me sukses premtimet tona

Ahmeti: Po realizojmë me sukses premtimet tona

Heqja e taksave për bizneset e komunës së Lipjanit, infrastruktura rrugore respektivisht asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave në shumë fshatra të komunës së Lipjanit, ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, përmirësimi i infrastrukturës fizike në shkollat e ndryshme si dhe rregullimi i fushave të vogla sportive pran këtyre shkollave nëpër fshatra të ndryshme të komunës së Lipjanit, dhe krijimi i hapësirave të gjelbëruara, i konsideron ndër projektet e tij kryesore gjatë mandatit të tij të deritanishëm, kryetari i komunës së Lipjanit,  Imri Ahmeti.

Ndërsa tregon se komunën e ka gjetur të zhytur në borxhe, dhe pa evidenca të sakta mbi borxhet. Ahmeti, këto komente i ka bërë në një intervistë për “Kosova Info”. Më tutje Ahmeti, duke folur edhe si Kryetar i degës së LDK-së në Lipjan, thotë se LDK po ecën mirë edhe me procesin e brendshëm partiak. Ndërkaq kritikat të cilat vijnë nga AKR në Lipjan, e cila është partner i koalicionit në qeverisje lokale i cilëson si deklarata “nonsens”.


Kryetar në kohë zgjedhjesh moto e fushatës suaj elektorale ishte: “Para zotit dhe para ligjit të gjithë jemi të barabartë. Sa keni arritur që praktikisht në qeverisjen tuaj lokale ta realizoni këtë moto, dhe a është ofruar një mundësi e barabartë për të gjithë qytetarët pa dallime?

AHMETI: Shikoni ne realisht kemi thënë: “Jemi më të pastër para ligjit dhe para zotit”. Sa kjo është zbatuar, është çështje e e vlerësimit. Sigurisht se ka vend për përmirësime. Por në shumicën e angazhimeve tona kujtoj që i kemi përfillur parimet për të mos lënduar askënd në asnjërin proces dhe për të nxjerrë më të mirën të mundshme në secilin proces në mënyrë që të hyj në funksion motoja e jonë në raport me situatat dhe cilindo proces.

Kryetar meqenëse filluam bisedën me pjesën e pastërtisë dhe luftimin e korrupsionit, opozita ne vazhdimësi ju ka kritikuar për korrupsion dhe nepotizëm, në theks të veçantë për punësimin në sektorin e arsimit. Ju disa herë jeni shprehur për një gjendje jo të mirë në nivelin e arsimit. Realisht, si e keni gjetur gjendjen në sektorin e arsimit dhe çka keni ndërmarr prej atëherë e deri më tani?

AHMETI: Është puna e opozitës që me gjet mundësi për kritika dhe mendoj që na përmirësojnë aty ku ka kritika të sakta. Raporti me gjetjet dhe krahasimi me vitin ku jemi është si nata me ditë. Realisht janë gjetur mbi 88 punëtorë jashtë listës së pagave. Janë gjetur afër 300 mijë euro borxhe për paga të arsimit. Janë gjetur shumë shkolla të arsimit pa ujë, pa toalete, pa rrjet të kanalizimit, shumë shkolla pa nxehje qendrore. Ka një përmirësim jashtëzakonisht të madh. Kështu, sa i përket infrastrukturës fizike, gjendja është shumë më e mirë se sa e kemi gjetur dhe përveç investimeve të lartcekura ne kemi investuar edhe në infrastrukturë fizike, trotuare, nyje sanitare, inventar, internetin, etj. deri te rregullimi i fushave sportive. Ndërsa sa i përket menaxhimit financiar me punëtorët që janë në sferën e arsimit, po ashtu është shumë më e mirë. Kurse çështja e nepotizmit është çështje e shpikur. Në asnjë rast, asnjë drejtor i asnjë departamenti nuk e ka marr vëllain e tij në punë, nuk e ka marr gruan në punë, apo fëmijët e vet në punë. Shikojeni krahasimin me vitet e më hershme. Ka pasur kontrata të cilat persona të caktuara i kanë marr në dorë dhe kanë qenë kontrata fare të pa protokolluara. Kontrata pa vend të punës fare sepse persona të tillë janë punësuar në kohë fushatash… Kjo ka krijuar vështirësi në punën tonë, pasi që e tërë kjo po merret si punë me pretendim për largimin e njerëzve të punësuar.

 Kryetar, në kohë të fushatës elektorale keni premtuar realizime të projekteve të ndryshme si në infrastrukturë, administratë, arsim por edhe në projekte të tjera. Cilat janë top 5 projektet të cilat i konsideroni si më të rëndësishme gjatë mandatit tuaj të deritanishëm?

AHMETI: Projekti i parë për mua ka qenë furnizimi me ujë në fshatin Magure. Ky premtim ka qenë një premtim të cilin e kam realizuar brenda 30 ditëve. Projekti i dytë fondamental ka qenë heqja e taksës për bizneset e që e kam realizuar që në vitin e parë të qeverisjes sime. Nëse flasim për infrastrukturë, kemi arritur që të asfaltojmë rrugët dhe rrugicat e shumë fshatrave në gjithë komunën e Lipjanit, dhe besoj që deri në vitin e ardhshëm do të përfundojnë edhe shume rrugica të asfaltuara të fshatrave. Përveç asfaltimit të rrugicave, ne kemi synuar që me mbyll ciklin e rrjeteve të kanalizimeve, ku na kanë mbetur vetëm dy apo tri fshatra, dhe këto do t’i konkretizojmë vitin e ardhshëm. Po ashtu, projekt tjetër i rëndësishëm është edhe krijimi i hapësirave të reja gjelbëruese në Lipjan. Praktikisht kemi mbjellë diku mbi 400 drunjë e që në fakt do t’i bashkoja bashkë me sheshin e qytetit i cili ka filluar së ndërtuari. Por edhe ndërtimi i shumë fushave të vogla sportive në shumicën e fshatrave të komunës së Lipjanit, si dhe projektet tjera të cilat janë në proces e sipër. Por, në dinamiken e projekteve tona realisht neve si komunë na kanë penguar shumë borxhet e trashëguara nga qeverisja e kaluar.

 Sa janë këto borxhe?

AHMETI: Kur kemi ardhur në qeverisje, ne kemi gjetur 7 milionë e 200 mijë Euro borxh, dhe kjo ka qenë një pengesë goxha e madhe për me planifikua dinamiken e realizimit të projekteve të planifikuara. Në fakt jo vetëm që ka pasur borxhe. Por e keqja më e madhe është që ne nuk kemi gjetur evidenca të sakta të borxheve, evidenca të sakta të kontratave, evidenca të sakta të pranimeve teknike të objekteve të përfunduara ose objekteve që kanë qenë në përfundim e sipër. Nuk kemi gjetur evidence të sakta të pasurisë së komunës të dhëna me qira, apo evidenca të sakta të pasurisë së komunës edhe të dhëna pa qira. Pra borxhi në tërësi ka qenë jashtëzakonisht i madh, e të cilin kemi arrit me programua vit pas viti. Realisht, ne edhe tash kemi borxhe diku 2 milionë e 800 mijë Euro të pa paguara. P.sh., akoma e kemi borxh rrugën ne Shale apo rrugën e hyrjes ne Sllovi, borxhe te gjetura,

Deri në fund të mandatit tuaj në çfarë gjendje do e lëni komunën e Lipjanit në këtë aspekt?

AHMETI: Unë mendoj se do të jetë qind për qind më mirë. Sigurisht se do të ketë kontinuitet por nuk do të krijojmë asnjë lloj të borxhit. Në të kundërtën do ta zvogëlojmë atë lloj të borxhit që na ka mbetur në vitin në vijim në mënyrë që mos ta biem në një situate të atillë pushtetin komunal për të bllokuar punimet në teren, apo për ta bllokuar funksionimin normal të administratës. Kujtoj që e kemi kthyer në binar administrimin e pushtetit në raport me atë gjendje që e kemi gjetur. Dëshmi më e mirë për këtë janë raportet e organizatave monitoruese me kredibilitet dhe shpërblimet që ka marr komuna e Lipjanit, e të të cilat e shpallin Komunën tonë ndër komunat lidere në mbledhjen e tatimit në pronë dhe të hyrave vetanake.

Kryetar, kohë më parë ju keni marr pjesë edhe në një forum mbarëkombëtar të bizneseve të diasporës shqiptare në ShBA. Çfarë lajmesh ju sillni qytetarëve Lipjanas nga atje?

AHMETI: Efektet nga ai takim nuk janë efekte të menjëhershme. Ne synojmë që vitin në vazhdim me u pa produktet e angazhimit tonë këtë vit dhe vitin e ardhshëm. E para ; Ne kemi filluar ndërtimin e një zone ekonomike. E dyta; takimet në Amerikë me bizneset shqiptare të gjithë diasporës kanë krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë dhe unë pres që gjatë vitit të ardhshëm të kemi një vizitë të këtyre bizneseve në komunën tonë. Unë përveç të tjerash i kam informuar ata për mundësit që kanë në komunën tonë. Për token që ka në shfrytëzim komuna, për procedurat që zhvillohen për dhënien e këtyre pronave në mënyrë që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investitor. Kështu, qëllimi i jonë është që të gjenerohen vende të reja të punës, sepse pa gjenerim të vendeve të reja të punës, nuk mund të kemi zhvillim të mirëfilltë ekonomik.

Meqenëse përmendët vendet e reja të punës. Prej qeverisjes suaj e deri më tani, sa vende të punës keni krijuar?

AHMETI: Është vështir e matshme në numra të dihet se sa qytetar kemi punësuar. Ne deri me tash kemi katër investitor në Lipjan, e të cilët përmes procedurave të hapura të konkurrimit janë ftuar dhe ju kemi dhënë prona me qëllim që të krijohen vende të reja të punës, dhe këto kompani tashmë kanë filluar ndërtimet e tyre të planifikuara. Në të kundërtën në sektorin privat krijimi i vendeve të reja të punës është vështirë i matshëm mbi numrin e saktë të punësuarve. Por bazuar në numrin e bizneseve që kanë ekzistuar para tre viteve dhe me numrin e bizneseve që ekzistojnë tash si dhe duke u bazuar me numrin e punëtorëve të regjistruar që kanë këto biznese del se numri i të punësuarve është në rritje e sipër, paralelisht me numrin e indikatorëve e zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Kurse edhe ma të kënaqshëm këtë numër e bënë numri i të punësuarve në projekte të caktuara sezonale të cilat janë të mundësuara direkt apo indirekt nga ana e jonë.

 Kryetar, meqenëse folët për lehtësimet që po krijoni për joshjen e bizneseve, tash së fundmi ka dal një reagim i bordit të drejtorëve në të cilin thuhet se njëri nga investitorët që u është krijuar lehtësime nga Komuna e Lipjanit për investim, respektivisht për hapje të një fabrike, po e keqpërdor mundësin e ofruar nga Kuvendi Komunal duke bërë kështu edhe lista të punësimeve nëpër fshatra për kalkulime politike. Realisht, për car propagande po bëhet fjalë dhe kush po bënë lista punësimi me qëllime politike?

AHMETI: Ka pasur një sqarim nga Këshilli i Drejtorëve e cila është nxitur nga një paqartësitë te cilat kanë rrjedhur në terren. Komuna e Lipjanit, kësaj kompanie si konkurrente i ka dhënë tokë pa qëllime politike dhe me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe jo me qëllim që të bëhet politik. Ne qëndrojmë mbrapa kësaj ideje, ne japim tokë që të krijojmë vende të reja pune e jo që të bëjmë politik dhe për të bërë fushata elektorale.

Të flasim edhe pak për administratën komunale. Si e keni gjetur gjendjen dhe çfarë keni ndryshuar që nga qeverisja e juaj?

 AHMETI: Në fakt, në administratë e para gjë që ka ndodhur është reduktimi i shpenzimeve. Ne nuk kemi blerë akoma as edhe një automjet për nevojat e administratës. Në të kundërtën ne e kemi zvogëluar numrin e automjeteve. Kjo i bije që është zvogëluar edhe shpenzimet e karburanteve dhe zvogëlimet e mirëmbajtjes. E kemi zvogëluar limitet e telefonisë mobile, duke hequr kështu benifitet që kanë pasur drejtorët dhe kemi zvogëluar çdo lloj shpenzimi që prodhohet në administratë në dobi të investimeve kapitale. Mos harroni, e kemi gjetur 2 milionë e 400 e 90 mijë euro investimin kapital vjetor, dhe e kemi bërë 3 milionë e 900 e 80 mijë, investim vjetor. E kemi gjetur planifikimin e të hyrave vetanake me 1 milion e 113 mijë, dhe tash ne kemi të hyra vetanake rreth 2 milionë euro. Ky trend i realizimit te të hyrave është arritur edhe përkundër faktit që kemi hequr taksa për bizneset, taksat për participim në shëndetësi, dhe një mori taksash të tjera, dhe kemi arritur që ti rrisim të hyrat vetanake dhe kemi realizuar qind për qind. Konsideroj se ky është një indikator mjaft i mirë që është shënuar progres në realizimin e buxhetit.

Kryetar, te flasim pak edhe për zhvillimet politike partiake pasi që jeni kryetar i degës së LDK-së në Lipjan. Si qëndron LDK në Lipjan, në procesin e ri-organizimit të brendshëm në të gjitha strukturat, duke filluar nga Forumi i Rinisë, Forumi i Gruas, nëndegët dhe dega?

AHMETI: Jemi befasuar për të mirë me marrjen e përgjegjësive dhe rrjedhave brenda Forumit Rinor. Në shumicën e nëndegëve personat që kanë marr përgjegjësin nëpër kryesi të forumeve rinore, janë individ të cilët kanë tituj të masterit apo fakultetet në institucionet akademike. Unë kam pa një entuziazëm të jashtëzakonshëm në shumicën e lokaliteteve ku kemi mbajtur aktivitete të Forumeve Rinore. Unë pres që kjo gjeneratë që po hynë gradualisht në proceset tona të marr edhe përgjegjësi më të mëdha. E kemi ndërruar goxha shumë edhe strukturën dhe numri i delegatëve në Asamblenë Komunale shumica janë për herë të pare këshilltar komunal dhe janë moshën relativisht te ri.. Realisht kjo i bije që jemi përtërirë edhe në moshë edhe në përvojë jashtëzakonisht shumë me reformën që kemi bërë para dy vitesh. Kurse pesha e vendimmarrjes së të rinjve brenda LDK-së në Lipjan, është jashtëzakonisht e madhe sepse të rinjtë janë edhe pjesë e strukturave partiake dhe tashme kanë marrë përgjegjësin edhe ne subjekt edhe ne institucione. Sa i përket Forumit të Gruas tashmë kemi filluar procesin ku kemi caktuar koordinatoret dhe aktivitetet e tyre nëpër nëndegëve dhe së shpejti presim që të futemi në procesin e brendshëm zgjedhor. Nuk kemi pengesa as në procesin e ri-organizimit të nëndegëve, kjo për arsyeje se të gjitha nëndegët tona janë me një përvojë të gjatë. Ne nuk kemi lokalitet ku nuk kemi nëndegë tonë. Përkundrazi në disa fshatra më të mëdha kemi interesime të jashtëzakonshme për pozicionet brenda strukturave politike. Ne kemi të legjitimuara në teren 52 nëndegë të LDK-së.

Kryetar, a po ju frikësojnë organizimet e subjekteve të tjera politike, apo a ju nxisin që të veproni edhe më shumë ?

AHMETI: Ne nuk varemi shumë nga të tjerët. Ne shikojmë projektin tonë politik. Angazhohemi në kuadër të subjektit tonë politik, dhe pa hy shumë në asnjë inati, dhe pa ri-shikuar se çka të tjerët bëjnë. Ne angazhohemi në krijimin e klimës së përshtatshme dhe për krijimin e mundësive të reja Brenda strukturave tona.

 Kryetar, në këto ri-organizime të brendshme partiake shumë aktive është edhe AKR në Lipjan e cila është pjesë e qeverisjes suaj lokale. Ky subjekt politik në Lipjan herë pas here drejton edhe kritika në adresë të qeverisjes lokale. Realisht, a ju dëmtojnë juve si LDK në Lipjan qëndrimet e këtij subjekti?

AHMETI: Nuk e di, kjo mbetet me u pa në të ardhmen. Por realisht kjo është një nonsens. Të jesh pjesë përbërëse e qeverisjes dhe ta kritikosh qeverisjen kjo do të thotë ta kritikosh vetveten. Është nonsens i veçantë ose shkurtpamësi e qeverisjes. Në të kundërtën nëse mendojnë që qeverisja nuk është në nivel, kanë gjithë mundësinë dhe hapësirën e shtyrjes se proceseve ne progres. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, edhe te jene pjesë e qeverisjes dhe te godasin ndër brez sigurisht se do e ri-shikojmë edhe ne pozicionin e tyre ne kuadër te bashkëqeverisjes lokale.

Në trend Lajme

Më shumë
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme
Knaus

Knaus "godet" sërish: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Lajme
“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

Siguri

"Intimidimi i gazetares", deputeti Dimal Basha reagon pas kritikave të AGK-së dhe RTK-së

Lajme
Kalo në kategori