0Shares

Jeton Arifi nga Agjencia Kosovare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka theksuar se ky autoritet merret me mbikëqyrjen e kompanive që janë të regjistruara në Kosovë, dhe që përdorin të dhënat personale të kosovarëve.

Ai në emisionin “Përballje”, me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se për rastin e skandalit që ka shpërthyer me keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve të rrjetit sociale Facebook, kemi të bëjmë me një kompani që bazën e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), derisa e ka vetëm një zyrë në Dublin të Irlandës.

“Ne si autoritet nuk kemi mandat ligjor për të inspektuar hetime për të vërtetuar saktësinë e shkeljeve të pretenduara nga qytetarët. Ne në baza ditore pranojmë ankesa nga qytetarët. Sa për ilustrim, dje kemi trajtuar ankesën e njëqind në kohët e fundit, e cila ishte për shkelje të pretenduar të privatësisë në Facebook”, ka shtuar Arifi.

Sipas tij, pikërisht në rastin e fundit është dashur t’ju referohen krimeve kibernetike, pasi sipas tij ka shumë shkelje të pretenduara nga qytetarët qe bien pre e keqpërdorimit të të dhënave të tyre.

Ndërkaq, Bardha Ahmeti nga organizata joqeveritare “LENS”, duke folur për Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka thënë se kjo Agjenci që dy vite është jo funksionale, për arsye të një problemi me amandamentim të ligjit dhe për shkak të ndikimit të politikës në caktim e personave kompetent në borde.

Ndërsa, në replikë Arifi është shprehur se Agjencisë i mungojnë pesë pozita udhëheqëse që nga viti 2016, por ka theksuar se është menaxhuar nga një Këshill i Agjencisë.

“Nuk jam dakrod që Agjencia është jo funksionale. Vetëm në një segment të inspektimit sepse që nga korriku i vitit 2016, agjencisë i mungojnë pesë pozita, pasi që agjencia është menaxhuar nga një Këshill i Agjencisë, anëtaret e secilës kanë qenë pesë mbikëqyrës të cilëve iu ka skaduar mandati. Shumë shpejt, në maj të këtij viti do të hyjë në fuqi rregullorja e përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe ne e kemi traspozuar në tërësi përmbajtjen e kësaj rregulloreje brenda projektligjit të ri”, tha ai.

“Mos emërimi i një komisioneri në vend të pesë anëtarëve të këshillit që ka qenë model i mëparshëm është peng i kësaj procedure të miratimit të ligjit”, tha Arifi. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)