Derisa Danimarka disa ditë më parë ka shfuqizuar të gjitha masat epidemiologjike dhe gjatë vikendit të kaluar mbajti një koncert me 50.000 njerëz, në pjesët tjera të botës janë zgjatur masat e izolimit për shkak të rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19.

Nga e premtja danezët nuk duhet të dëshmojnë më të ashtuquajturën certifikata COVID, që dëshmon se personi është vaksinuar, i shëruar apo është negativ në testin e COVID-19, nëse dëshiron të marrë pjesë në ngjarje të mëdha siç janë koncertet, ndeshjet e futbollit dhe hyrjet në klube të natës që janë hapur së fundmi, transmeton Telegrafi.

Do të hapen qendra të reja për vaksinim para çdo koncerti të mbajtur, dhe ngjarje të ngjashme ka njoftuar ministria e Kulturës në Danimarkë.

Deri më tani mbi 83 për qind e danezëve mbi moshën 12-vjeçare janë vaksinuar me dy doza të vaksinave anti-COVID.

Australia zgjat masën e izolimit

Në kryeqytetin australian, Canberra, masa e karantinimit do të jetë në fuqi deri kah mesi i tetorit.

Vatra e re e epidemisë ka bërë që autoritetet të reagojnë, e krejt kjo si rezultat i variantit Delta që është shumë më ngjitës. Deri më tani janë regjistruar 252 raste aktive dhe 276 tjerë që janë shëruar.

Fushata e vaksinimit është përshpejtuar muajve të fundit në këtë vend, në veçanti pasi miliona njerëz në juglindje të Australisë, Sydney dhe Melbourne prisnin në radhë për t’u vaksinuar.

Java e vaksinimit në Gjermani

Java e vaksinimit në mbarë Gjermaninë ka filluar të hënën, duke u ofruar njerëzve në mbarë vendin vaksinim pa termin dhe madje edhe nëpër qebaptore, tregje dhe qendra sportive.

Ekipet mobile për vaksinim janë shpërndarë në të vendin e sidomos nëpër biblioteka, autobusë, dyqane, kisha, xhamia – me qëllim që numri i qytetarëve të vaksinuar të jetë sa më i madh.

Protestat në Francë

Mbi 120.000 njerëz demonstruan të shtunën në Francë, si shenjë proteste kundër certifikatave anti-COVID që sipas tërë paraqet diskriminim.

Për hyrje në kafiteri, restorante dhe shumë hapësira tjera publike, nevojitet certifikata apo testi negativ kundër COVID-19.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se 121.000 njerëz kanë demonstruar në Francë, ku 19.000 prej tyre në Paris, ku policia arrestoi 85 persona për shkak të përleshjeve.

Tre pjesëtarë të policisë franceze kanë pësuar lëndime të lehta trupore, e kjo ishte protesta e nëntë kundër certifikatave anti-COVID.

Ashpërsim masash në juglindje të Kinës

Qyteti Siamen ka konfirmuar për 33 raste të reja në dy ditët e fundit dhe 59 tjerë që janë zbuluar në Putian. Autoritetet në Siamen kanë aplikuar masën e izolimit, duke urdhëruar mbylljen e parqeve dhe palestrave të fitnesit.

Kina në masë të madhe pretendon se ka arritur të parandalojë përhapjen e mëtejme të coronavirusit, por ka raportime sporadike për raste të reja.

Në SHBA spitalet plot me pacientë të infektuar

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Alabama ka përqindjen më të madhe të rasteve të reja me COVID-19 në SHBA, rreth 541 në 100.000 banorë që kanë rezultuar pozitiv në shtatë ditët e fundit. /Telegrafi/