LAJMI I FUNDIT:

Agresioni rus në Ukrainë frenon zhvillimin ekonomik të Evropës

Agresioni rus në Ukrainë frenon zhvillimin ekonomik të Evropës

Lufta në Ukrainë po ngadalëson rritjen ekonomike në Bashkimin Evropian dhe po rrit inflacionin. Kjo po ndodh kryesisht për shkak të çmimeve të energjisë. Megjithatë borxhi shtetëror në vendet e BE-së është në rënie.

Komisioni i BE-së e ka ulur në mënyrë drastike parashikimin e tij të rritjes për ekonominë evropiane. Sipas prognozës së pranverës, ekonomia e BE-së dhe e vendeve të eurozonës pritet të rritet këtë vit vetëm me 2.7 për qind në vend të 4 për qind që pritej më parë. Parashikimi për inflacionin në vendet e eurozonës në vitin 2022 pothuajse është dyfishuar në 6.1 për qind.

Autoritetet e Brukselit sqaruan se lufta në Ukrainë dhe mbi të gjitha çmimet e vazhdueshme të larta të energjisë dhe lëndëve të tjera të para po vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj ekonomisë. Këtyre u shtohen edhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.

Për vitin e ardhshëm, Komisioni i BE-së supozon një rritje prej 2.3 për qind në BE dhe në Eurozonë. Në prognozën e shkurtit komisioni kishte parashikuar për vitin 2023 një rritje prej 2.8 për qind për BE-në dhe 2.7 për qind për vendet e Eurozonës.

Edhe parashikimi për ekonominë gjermane u korrigjua gjithashtu ndjeshëm, pjesërisht për shkak të luftës në Ukrainë. Komisioni i BE-së parashikon për këtë vit vetëm rritje prej 1.6 për qind, në vend të 3.6 për qind që pritej më parë. Vitin e ardhshëm ekonomia më e madhe e Evropës, do të rritet me 2.4 për qind në vend të 2.6 për qind që ishte parashikuar më parë. /Deutsche Welle/