LAJMI I FUNDIT:

AGK kundërshton nismën për hartimin e Ligjit për Mediat

AGK kundërshton nismën për hartimin e Ligjit për Mediat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës  ka reaguar ndaj së Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media  për hartimin e draft Ligjit të mediave në Kosove, duke e quajtur të papranueshme mos përfshirjen dhe mos konsultimin e këtij asociacioni lidhur me këtë proces.

Në reagimi e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) thuhet se ky asociacion si palë e interesit të veçantë në këtë fushë nuk është njoftuar fare nga komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në lidhje me këtë nismë ligjore si dhe nuk është në dijeni për qëllimin që bartë në vetvete hartimi i një drafti i cili do të normonte fushën e medieve në Kosovë, transmeton Telegrafi.


“Prandaj, mos përfshirjen në konsultime që në fazën fillestare e akterëve relevant, të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe, trupave të tjerë vetërregullues që e mbulojnë fushën e medieve në Kosovë konsiderojmë se është një tendencë politike për ta kontrolluar, kufizuar dhe cenuar lirinë e shprehjes. AGK në parim kundërshton çfarëdo nisme legjislative nga cilido institucion i cili më parë nuk konsultohet me palët e interesit si dhe nuk i bënë të ditura arsyetimet e qëllimit për hartimin e një ligji, në këtë rast Ligjit për mediet në Kosovë”, thuhet në reagim.

“Kosova ka një gamë të gjerë të ligjeve pozitive të cilat në mënyrë të qartë dhe të drejtë rregullojnë shumë fusha të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes, mirëpo ajo që mungon në vazhdimësi është vullneti politik dhe institucional për t’i zbatuar në praktikë këto ligje”.

“Andaj, inkurajojmë të gjitha institucionet e vendit që para se të fillojnë çfarëdo iniciative për hartimin e ligjeve të reja, të angazhohen maksimalisht në zbatimin e ligjeve aktuale sepse zbatimi i tyre pashmangshëm ndikon një krijimin e një ambienti të sigurtë për gazetarët dhe rritjen e profesionalizmit te mediet”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Telegrafi/