eksperti-banner

Gazetarja Blerta Zuka dhe kameramani Enkelej Shaljani janë sulmuar sot gjatë raportimit të tyre në Gjilan. Incidenti ka ndodhur derisa ekipi i TV Dukagjini po realizonte një kronikë për punimet në sheshin e këtij qyteti.

Sipas reagimit thuhet se një punonjës i kompanisë që po kryen punimet e ka shtyrë fizikisht ekipin dhe e ka pamundësuar vazhdimin e punës.



"AGK-ja e dënon fuqishëm këtë sulm dhe e konsideron atë pengim me forcë të ushtrimit të punës profesionale dhe sulm ndaj lirisë së medias në vend", thuhet në reagim.

AGK-ja e fton Komunën e Gjilanit, e cila është përgjegjëse për punimet, që të distancohet nga ky veprim, si dhe organet e sigurisë e drejtësisë që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të shpejtë dhe efikase për ta mbajtur përgjegjës sulmuesin.

Gazetarët duhet të lihen të lirë për ta kryer punën e tyre në interes të publikut. /Telegrafi/