eksperti-banner

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas diskutimeve në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ku nënkryetarja Drita Morina ka propozuar që në mbledhjen e radhës të shqyrtohet mundësia e mbylljes së emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini.

AGK e ka cilësuar këtë deklaratë si të papranueshme dhe të papërgjegjshme, duke e konsideruar si, siç thuhet në reagim, një sulm ndaj lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë.


Sipas AGK-së, diskutimi i tillë në KPM është vazhdimësi e vendimeve ndëshkuese të pabazuara ndaj mediave në periudhën e fundit.

Në reagim theksohet se nuk është në kompetencën e KPM-së të ndëshkojë mediat apo gazetarët për shkak të debatit publik apo deklaratave të të ftuarve në emisione.

AGK ka ngritur shqetësimin edhe për, siç i quan, vendime të paprecedenta me gjoba nga përbërja aktuale e KPM-së, duke paralajmëruar se këto veprime rrezikojnë pavarësinë e mediave dhe pluralizmin mediatik në vend.

Në deklaratë thuhet se liria e medias dhe e shprehjes janë të garantuara në Kosovë dhe se asnjë institucion nuk mund të cenojë këtë parim përmes vendimeve administrative.

AGK i ka bërë thirrje KPM-së që të heqë dorë nga praktikat ndëshkuese ndaj mediave dhe të veprojë vetëm brenda mandatit dhe kompetencave të saj ligjore.