LAJMI I FUNDIT:

Agjencia e Komunikimit që promovon reputacionin e krijimtarisë shqiptare në nivel ndërkombëtar

Agjencia e Komunikimit që promovon reputacionin e krijimtarisë shqiptare në nivel ndërkombëtar

IF YOU WANT TO READ THIS INTERVIEW IN ENGLISH EDITION, PLEASE CLICK HERE.

Industria e reklamave dhe e marketingut në Shqipëri po njeh ekspansion të paprecedentë. Gjatë viteve të fundit po kthehet në një nga sektorët shqipfolës që spikasin edhe matanë kufijve. Shkak i këtij fenomeni është rritja e interesit të sipërmarrjeve për t’i komunikuar konsumatorëve shqiptarë me buxhete marketingu të dedikuara. Kjo klimë ka ndikuar te cilësia e punëve që ofrojnë agjencitë e komunikimit. Cilësia ndikon drejtpërdrejt te efektshmëria e fushatave të komunikimit e për pasojë edhe tek suksesi i produkteve dhe shërbimeve që këto fushata promovojnë. Sfida e përhershme e agjencive më profesionale në Shqipëri mbetet përngahera krijimi dhe mbajtja e një standardi të lartë cilësie. Disa prej këtyre agjencive kanë zhvilluar aftësi dhe njohuri të cilat bien në sy e vlerësohen nga konkurse dhe festivale ndërkombëtare. Agjencia nga Tirana, VATRA Agency është njëra prej tyre. VATRA sapo ka konkurruar në një nga festivalet më prestigjoze në industrinë e komunikmit, Lisbon AD Festival. Ky konkurs, i cili zhvillohet çdo vit, mirëpret punët dhe projektet e agjencive nga e gjithë bota të cilat krijojnë një klimë tejet konkurruese.

ME 18 VJET EKSPERIENCË VATRA AGENCY KA NDIHMUAR 350 KLIENTË QË TË RRITEN DUKE FINALIZUAR MBI 1550 PROJEKTE


VATRA është një nga agjencitë e para të komunikimit dhe të marketingut në Shqipëri. E themeluar në vitin 2003 nga Gerton Bejo, dizajner veteran dhe një nga pionerët e marketingut shqiptar, agjencia sapo ka festuar përvjetorin e saj të tetëmbëdhjetë. Në 18 vjet VATRA ka ditur të diversifikojë në mënyrë mbresëlënëse tipologjitë e shërbimeve dhe njëkohësisht ka synuar një treg të përmasave të jashtëzakonshme. Aktualisht, agjencia ofron shërbimet e saj në një rreze prej 55 milionë njerëz në të gjithë Ballkanin Perendimor, duke e zgjeruar prezencën e saj fizike edhe në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo, falë përkushtimit dhe një strategjie mjaft ambicioze.

Po t’i referohemi projekteve të realizuara nga agjencia përgjatë këtyre 18 viteve aktivitet, VATRA ka bashkëpunuar me mbi 300 klientë të përmasave dhe industrive të ndryshme dhe ka finalizuar me sukses të plotë mbi 1550 projekte. Sipas themeluesit, Z. Bejo, “çelësi i suksesit i kompanisë mbetet dëshira e vazhdueshme për t’i shtyrë objektivat e VATRA një nivel më lartë, një kufi më tej”. Ndërsa, sipas drejtueses kreative, Brunilda Hoxha, agjencia ndër vite është mbështetur tek një ekip krijues i cili përngahera ka aplikuar një këndvështrim autentik në dizajn dhe përqasje avangarde në ndërtim brand-esh apo në industrial packaging. Në të njëjtën kohë, ndryshe nga shumë agjenci të tjera që operojnë në sektor, VATRA po bën diferencën çdo ditë e më shumë në marketingun digjital dhe në platformat e reja të komunikimit. Kjo, falë një ekipi digjital të dedikuar, me aftësi e njohuri që përditësohen vazhdimisht dhe me ekspertizë në menaxhimin e të dhënave.

NË LISBON AD FESTIVAL MERRNIN PJESË QINDRA AGJENCI NGA E GJITHË BOTA VATRA AGENCY U RENDIT TE NJË NGA 21 MË TË MIRAT ME 5 PROJEKTE TË ZHVILLUARA NË SHQIPËRI      

Sërish, sipas Z. Bejo agjencisë së tij i mungonte një sprovë e një niveli më lartë, diçka që mund ta diferenconte nga mijëra kompani komunikimi, jo vetëm shqiptare, por në nivel ndërkombëtar. Për këtë arsye në 18 vjetorin e themelimit, VATRA mori pjesë në edicionin e 6-të të Lisbon AD Festival, si një orvajtje për t’u përballur ndershmërisht me të vërtetën e sinqertë për veten:

Jemi vërtet një kompani e pjekur dhe gati për të kapërcyer drejt një tregu ndëkombëtar?

Rezultati ishte surprizues për vetë agjencinë. Në listën finale, para ndarjes së çmimeve, VATRA u rendit në mesin e 21 agjencive finaliste, ndër të cilat spikasnin dinozaurë të industrisë së komunikimit, gjigandë globalë sa i përket historisë dhe buxheteve, si Havas Middle East, McCann Brasil, MediaMonks Portugal, VMLY&RX, LLYC, FCB Lisboa, Euro M., Too Good to Go, Holm Komunikation etj.

Falë gjykimit të një jurie të përbërë nga profesionistë ndërkombëtarë 5 projekte të zhvilluara nga VATRA u përzgjodhën të shkonin në finale. E njëjta juri zgjodhi vetëm gati 50 projekte finaliste në mbi 1000 aplikime.

Si mendoni, e kaloi VATRA sprovën e saj të parë?

VATRA AGENCY U PËRZGJODH SI FINALISTE E LISBON AD FESTIVAL ME TRE MARKA SHQIPTARE, ME NJË INSTITUCION RAJONAL DHE ME DY LIDERË GLOBALË VISA & MASTERCARD

Në finale, agjencia nga Tirana nuk arriti të ngjitej në podin e tre kategorive ku konkurronte për të fituar totemin e festivalit, korbin e artë. Sidoqoftë, brenda në agjenci rezultati u prit shumë mirë, pasi të qënit finalistë me 5 projekte u konsiderua nga të gjithë si shenjë se VATRA e meriton të guxojë më shumë. Agjencia ka të gjithë potencialin krijues dhe strategjik që të konkurrojë me kompani të të njëjtit nivel ose më lart. Me krenari u prit edhe fakti se 5 projekte të rëndësishme për klientë si Selita Water, Wiseword Group, Drupa Caffè, Regional Cooperation Council, Visa dhe Mastercard ia dolën të bindnin një juri prej 14 dizajnerash, skenaristësh apo regjisorësh nga e gjithë bota.

Sipas Z. Bejo: “… është tejet e rëndësishme që agjencitë shqiptare si VATRA të marrin pjesë në konkurse dhe festivale ndërkombëtare. Ne si agjenci na rrit jashtë mase. I bën mirë marrëdhënies sonë me klientët, pasi u rikonfirmon atyre se do të marrin rezultatet që presin. Mbi të gjitha, i bën akoma më mirë industrisë në tërësi dhe vendit që përfaqëson”.

Artikull i sponzorizuar