LAJMI I FUNDIT:

Agim Bahtiri thotë se dikush po provon ta rikthejë anarkinë dhe kaosin në Mitrovicë  

Agim Bahtiri thotë se dikush po provon ta rikthejë anarkinë dhe kaosin në Mitrovicë  

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, thotë se në Mitrovicë individë dhe kompani të papërgjegjshme kanë ndërmarrë një ofensivë të orkestruar për shkeljen e ligjit dhe rregulloreve dhe vendimeve komunale me qëllim të rikthimit të anarkisë dhe kaosit në qytet.

Bahtiri, përmes një postimi në Facebook, thotë se “ditëve të fundit, individë të pandërgjegjshëm dhe disa kompani të pa papërgjegjshme në Komunën tonë kanë ndërmarrë një ofensivë, që duket si e orkestruar dhe me dijeni të zyrtarëve të nivelit qendror për të shkelur ligjin dhe rregulloret e vendimet komunale, për interesa të tyre të ngushta personale dhe klanore, gjë që do ta rikthente në qytetin tonë anarkinë dhe kaosin që ekzistonte vite më parë”.


“Veprimet e tilla manifestohen me uzurpime dhe keqpërdorime të pronës publike, ndërtime pa leje dhe punë ilegale të fabrikave që seriozisht po e dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e qytetarëve tonë, të cilat po shoqërohen me kërcënime dhe sulme fizike ndaj zyrtarëve komunal që po marrin masa ligjore për të mos lejuar këto aktivitete ilegale”.

“Ju bëj me dije të gjithë këtyre keqbërësve se asnjë kërcënim, sulm apo shantazh, nuk do të na frikësoj dhe nuk do të na zmbraps nga përkushtimi i jonë për të zbatuar ligjin, sepse vetëm kështu Mitrovicën mund ta bëjmë qytet të dinjitetshëm dhe evropian, të stabilizuar në aspektin politik e të sigurisë dhe të zhvilluar ekonomikisht, me të cilin mund të jemi pafundësisht krenarë”, ka shkruar Bahtiri.

Më tej kreu i Komunës së Mitrovicës, Bahtiri thotë se “dukuritë e këtilla për ne drejtuesit e Komunës janë të papranueshme, prandaj nga ju qytetarë të nderuar kërkojmë të na mbështetni në këtë betejë kundër dukurive negative, që është edhe betejë e juaja e kamotshme, duke bashkëpunuar ngushtë me organet komunale dhe policinë e Kosovës për të denoncuar keqbërësit dhe për të pamundësuar kështu veprimet e tyre”.

Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë mbështetje të fuqishme dhe t’u bëhet e qartë të gjithëve se askush nuk është mbi ligjin. /Telegrafi/