LAJMI I FUNDIT:

Agani letër kryeministrit Mustafa, i kërkon ta lirojë nga detyra

Agani letër kryeministrit Mustafa, i kërkon ta lirojë nga detyra

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani ka kërkuar nga Kryeministri Isa Mustafa ta lirojë nga detyra deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë.

Kjo është bërë e ditur nga zyra e ministrit Agani.


Në vijim mund ta lexoni letrën e plotë të Ministrit Agani dërguar Kryeministrit Mustafa.

“I nderuari z. Kryeministër,

Duke pas parasysh ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit ndaj meje;

I bindur në pafajësinë time të plotë përkitazi me çështjen që është subjekt i aktakuzës;

Në pajtim me parimin e qeverisjes së pastër pa asnjë dyshim në bartësit e funksioneve publike; dhe

I përkushtuar që drejtësia të kryej punën e saj në mënyrë të papenguar,

Kërkoj nga Ju që të më lironi nga detyra e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deri në momentin e shpalljes së pafajësisë sime të plotë”.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe disa persona janë akuzuar për lidhje me të ashtuquajturin rasti “Stenta”. Për këtë, ndaj tyre është ngritur edhe aktakuzë. /Telegrafi/