Agani: Gëzim Kelmendi ka dashur të na shantazhojë (Video)

Ministri Agani, duke folur për një akt nënligjor të miratuar nga qeveria së Kosovës që nga viti 2011 për kontrollin e emetimit të gazrave, tha se ai kurrë nuk është zbatuar deri më tani.
“Kemi aktin tjetër nënligjor që nga viti 2006 i cili nuk është zbatuar për 9 vite. Bëhet fjalë për një neglizhencë institucionale për mospagesën e borxheve të ujërave dhe kam urdhëruar të formohet një komision dhe këtë lëndë e kemi dërguar në prokurorinë e shtetit për tu hetuar”, ka thënë Agani.
MMPH, sipas Aganit, ka dhënë pëlqime mjedisore mirëpo nuk e ka bërë verifikimin e gjendjes faktike në terren se sa janë respektuar ato pëlqime mjedisore, që do të thotë se ministria, inspeksioni dhe departamenti i mjedisit nuk e kanë kryer punën.
“Asnjëherë nuk janë nënshkruar lejet mjedisore që janë të domosdoshme që ministria t’i kontrolloj objektet se a kanë qenë të ndërtuara në bazë të pëlqimeve në fillim, që i bie se nuk e dimë se a i kanë respektuar shumë operatorë ekonomik kriteret e përcaktuara për leje mjedisore”, ka thënë Agani.
Tutje, ai ka bërë me dije se deri më tani, 160 mijë objekte pa leje kanë aplikuar për legalizim.
Ministri i MMPH-së thotë të ketë vërejtur gjatë këtyre 5 muajve në detyrë se kishte qenë praktikë që drejtorët dhe kryeshefat e agjencive të bëjnë udhëtime të mëdha, por ai ka theksuar se do të bëhet një plan vjetor për udhëtime, në mënyrë që të mos ketë udhëtime për secilën ftesë.
Agani, më tej ka thënë se kanë probleme në zbatimin e politikave sepse ka mungesë të stafit profesional.
Ministri Agani e pranoi se ka mungesë edhe të inxhinierëve të klimatologjisë, meteorologjisë dhe agronomisë dhe se janë vendosur sisteme të vlerësimit dhe të monitorimit, por nuk ka mirëmbajtje të tyre.
“Kemi nevojë për reagensa për laboratore të institutit hidrometeorologjik, kemi nevojë për aparate automatike për vërshime”, ka theksuar Agani.
Më tej, ministri Agani ka treguar se nga 39 milionë euro të MMPH-së, 35 milionë jepen për shpronësime.
Ferid Agani e pranon për herë të parë se është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale për tenderin e kushëririt të tij për shkatërrimin e barnave në MSH, “ndërsa në pyetje edhe për rastin e stentave”.
Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë, ka folur edhe për tashmë ish-deputetin e kësaj partie, Gëzim Kelmendi, për të cilin tha se “na ka shatanzhuar”.
“Gëzimi, gjatë intervenimit të policisë në veri, në atë periudhë, ka dashur ta shantazhojë partnerin e koalicionit duke kërcënuar për dalje nga koalicioni për heqjen e udhëzimit administrativ për lirinë e bartjes së mbulesës. Ne si PD nuk lejojmë shantazhime”, ka potencuar ministri i MMPH-së, Ferid Agani.
















































