LAJMI I FUNDIT:

Administrohen dhe propozohen prova të reja në gjykimin ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve

Administrohen dhe propozohen prova të reja në gjykimin ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të ka vazhduar gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, Sekretarit të Përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtëve të tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Në këtë seancë janë administruar provat materiale të propozuara nga prokuroria, dhe janë bërë propozime të reja për plotësimin e procedurës së provave nga të akuzuarit.


Provat materiale u lexuan nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari, në disa prej të cilave patën vërejtje në kuptim të mbrojtjes, disa nga mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas administrimit të provave të propozuara nga prokuroria, u propozuan prova nga ana e mbrojtësve të të akuzuarit Nenad Rikallo, Ekrem Gjoka dhe Leon Thaçi.

Në këtë seancë prezantuan prokurorja Habibe Salihi, përfaqësuesi i Avokaturës Shtetërore, Bedri Krasniqi dhe të akuzuarit.

Në fillim të seancës mungoi mbrojtësi i të akuzuarit Shefki Zeqiri, avokati Mentor Neziri, mbrojtësja e të akuzuarit Leon Thaçi, avokatja Femie Gashi – Bytyqi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Lindar Krasniqi, avokati Alban Makolli, të cilët u paraqitën më vonë në seancë.

Seanca e radhës, ku pritet të vendoset lidhur me propozimet e mbrojtjes për provat e propozuara, do të mbahet më 22 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) mç 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “ Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, me datë 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrative, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural, kështu i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, Të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grandit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara.

Në trend Lajme

Më shumë
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Lajme
Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Lajme
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Lajme
Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Lajme
Kalo në kategori