LAJMI I FUNDIT:

I adhuruar në Perëndim, i mohuar në vendlindjen e tij: Në botën e çmendur, veç i çmenduri është i arsyeshëm!

I adhuruar në Perëndim, i mohuar në vendlindjen e tij: Në botën e çmendur, veç i çmenduri është i arsyeshëm!

Filmi i Akira Kurosawas është në krye të sondazhit të BBC-së për 100 filmat më të mëdhenj të botës që nuk janë në gjuhën angleze. Për vlerat e këtij filmi shkruan Anne Bilson, transmeton Telegrafi.

Njëqind filmat më të mirë, që nuk janë në gjuhën angleze
Lexo po ashtu Njëqind filmat më të mirë, që nuk janë në gjuhën angleze

“Seven Samurai” (“Shtatë samurajët”, 1954) është një epikë bardhezi që zgjatë tri orë e gjysmë, me ngjarjen që zhvillohet në Japoninë e shekullit XVI-të, të shkatërruar nga lufta. Ky film zuri të parin vend në sondazhin e BBC-së, “100 filmat më të mirë të huaj”, me 41 kritikë (20 për qind të totalit) duke votuar për të. Kurosawa ka qenë një nga regjisorët më të preferuar në sondazh, i propozuar me tre filmat tjerë të tij (“Rashomon”, “Ikiru” dhe “Ran”) që futen në listë. Në fakt, tërheqja për Kurosawan nuk ishte e madhe tek kritikët e Japonisë që kanë marrë pjesë në sondazh: asnjëri nuk e votoi filmin “Seven Samurai”, e as ndonjë film tjetër të tij, duke preferuar veprat e regjisorëve, si: Yasujiro Ozu dhe Kenji Mizoguchi. Por, kjo gjë mund të pritej, sepse edhe gjatë viteve më të suksesshme të tij, Kurosawa më shumë respektohej jashtë vendit sesa në shtetin e tij.


Ai ishte regjisori i parë japonez që fitoi famë ndërkombëtare, kur filmi i tij “Rashomon”, më 1951 rrëmben Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venecias. Dhe, “Shtatë samurajët” me siguri se i detyrohet këtij popullariteti. Ky film na shfaqi një kulturë që ishte e huaj, intriguese, por edhe e kapshme për audiencat e tëhuajësuara nga uesternët e Hollivudit. Në vitet e mëvonshme, Kurosawa tentonte disi të minimizonte entuziazmin e tij për filmat e John Fordit, por arritja më e madhe e tij ishte të kombinonte konventat e perëndimit me zhanret e rinj japonezë: “chambara” (filmi me shpata) dhe “jidaigeki” (drama historike).

Bisedë kolosësh të artit: Gabriel Garcia Marquez – Akira Kurosawa
Lexo po ashtu Bisedë kolosësh të artit: Gabriel Garcia Marquez – Akira Kurosawa

“Shtatë samurajët” nxit që në fillim, kur pjesëtarët e një grupi banditësh vendosin të presin të korrat për të sulmuar një fshat në male. Ata dëgjohen nga një fermer, i cili e përcjell lajmin e keq te fshatarët e tjerë. Pas terrorit psikologjik dhe vajtimit të fatit, fshatarët vendosin të punësojnë samurajët për mbrojtje, por meqë janë të varfër, gjithçka që mund të ofrojnë si pagesë është orizi. Ne pastaj shohim përfaqësuesit e fshatit në kërkimin pothuajse të pamundur për të bindur samurajët krenarë për t’iu bashkuar çështjes së tyre.

Ata takojnë një veteran të quajtur Kambei (Takashi Shimura, një nga aktorët e preferuar të Kurosawas) që të habit pasi ka rruar bishtin e flokëve (një simbol i krenarisë së samurajëve), sepse si murg i maskuar kishte shpëtuar një fëmijë që mbahej peng nga një hajdut. Sapo Kambei i bashkohet fshatarëve, filmi mbledh sekuencat e nevojshme për aksion. Një nga një, gjashtë samurajë binden për të marrë pjesë në një mision të mundshëm vetëvrasës, që nuk do të sjellë as para e as famë: një mik i vjetër i luftës i Kambeit, një shigjetar i aftë, një mik që detyrohej priste dru, një shpatar i cili dëshiron të përsos artin e tij, një samuraj i ri i paprovuar i cili mezi dëshiron të provojë burrërinë e tij, dhe në fund Kikuchiyo (Toshiro Mifune, aktori tjetër i preferuar i Kurosawas), një krekosës gjysmë i çmendur, pretendimet e të cilit se është anëtar i klasës së samurajëve pothuajse ekspozohen si trillim.

Akti i dytë tregon sesi samurajët studiojnë peizazhin që duhet të mbrojnë, duke i shndërruar fermerët në një forcë luftimi. Dhe, në fund, për një orë e gjysmë filmi shpalos një seri luftimesh. Beteja klimaktike në shi të rrëmbyer është një mrekulli e kaosit koreografik: luftëtarët që kalojnë përmes baltës, kuajt, shtizat, shigjetat dhe ndonjë plumb, të gjitha të filmuara me shumë kamera, e vendosin publikun në qendër të aksionit. Ne gjithmonë e dimë se kush është kush, ku është secili, se çfarë po bëjnë, se sa banditë kanë mbetur për t’u vrarë në çdo moment të caktuar. Ka edhe viktima midis samurajëve, për shkak se tashmë i njohim dhe çdo vdekje e tyre godet.

Kurosawa pas këtij filmi bëri edhe të tjerë të stilit “chambara”, përfshirë “Yojimbo” (1961) dhe “Sanjuro” (1962), por popullariteti i tij në Perëndim dukej se punonte kundër tij në Japoni. Japonezët për të kishin mospërfilljeje dhe dyshim: nëse perëndimorët i vlerësuan filmat e Kurosawas, ndoshta kjo për ta nënkuptonte se nuk ishin sa duhet japonezë, siç ishin veprat e bëra nga Mizoguchi ose Ozu. Mes turbullirave artistike të valëve të reja dhe kundërkulturës së mesit të viteve 1960, dështojnë dy filmat e fundit të Kurosawas për kompaninë “Toho” dhe mungesa e vullnetit të tij për të degraduar nga prodhimet epike në projekte më të vogla, e lënë atë pothuajse në harresë. Më 1971 tentoi vetëvrasjen dhe tri projektet e ardhshme të tij – “Dersu Uzala” (1975), “Kagemusha” (1980) dhe “Ran” (1985) – e çuan në këmbë fal adhuruesve të tij në BRSS, në Francë dhe në SHBA.

Por, aq sa filmat me samurajë të Kurosawas u ndikuan nga uesternët e Hollivudit, ata filma po ashtu ndikuan në kinemanë e Perëndimit. Komploti i “Shtatë samurajëve” është ricikluar jo vetëm te filmi “The Magnificent Seven” – që Hollivudi e bëri dy versione, një më 1960 e një tjetër më 2016 – por edhe në fantashkencë (Battle Beyond the Stars and Rogue One) dhe në animacion (A Bug’s Life). Filmi i tij “The Hidden Fortress” (1958) kishte ndikim te “Star Wars” dhe “Yojimbo” u përpunua nga Sergio Leone në veprën “A Fistful of Dollars” që nis zhanrin e ri që do të njihet si shpageti-uestern.

Ky ndikim i pashembullt tregon se “Shtatë samurajët” bazohet jo veç në emocionet dhe mitologjitë e Japonisë feudale, por se ka rrezatim universal. Kurosawa, deri diku, mund të jetë një profet pa nder në vendin e tij. “Në botën e çmendur, veç i çmenduri është i arsyeshëm”, ka thënë ai. Por, pas më shumë se gjashtë dekadave, filmi i tij mbetet standard i artë për filmat aksion. Pastërtia e epikave dhe humanizmi i tij do të vazhdojnë të tërheqin publikun kudo në botë – edhe për gjeneratat që do të vijnë. /Telegrafi/