LAJMI I FUNDIT:

Bisedë kolosësh të artit: Gabriel Garcia Marquez dhe Akira Kurosawa

Bisedë kolosësh të artit: Gabriel Garcia Marquez dhe Akira Kurosawa

Në tetor të vitit 1990, nobelisti i letërsisë Gabriel Garcia Marquez shkon në Tokio ku takon regjisorin më të madh japonez Akira Kurosawa. Dy kolosët e artit ulen e bisedojnë për gjashtë orë të tëra për filmin, letërsinë, tragjedinë e politikën. Markesi, mjeshtri i fjalës së shkruar, në fillime të karrierës ka punuar si gazetar, madje ka shkruar edhe kritikë filmi për gazetat kolumbiane. Edhe Kurosawa zbulon se në rini, menjëherë pas Luftës së Dytë, ka punuar gazetar dhe flet për temat që nuk ka mundur t’i shkruante pasi ishin të ndaluara nga pushteti. Markesi haptas shpreh adhurimin për punën e regjisorit të madh, madje deklaron se një film të tij e ka shikuar madje 6 herë dhe tërë kohën u ka folur fëmijëve të tij për të. Një pjesë e transkriptit të kësaj bisede (që po e sjellim këtu) është botuar në Los Angeles Times më 1991.

Përktheu nga anglishtja: Besnik Hamiti

Gabriel García Márquez: Nuk dua që kjo bisedë mes miqsh të duket si intervistë për shtyp, por unë kam kureshtjen e madhe të mësoj për shumë gjëra rreth jush dhe punës tuaj. Për fillim, më intereson të di si i shkruani skenarët. Së pari, për shkak se edhe unë jam skenarist. Dhe, së dyti, për shkak se ju keni bërë adaptime të jashtëzakonshme të veprave të mëdha letrare, dhe unë kam shumë dyshime për adaptimet që u janë bërë ose do t’u bëhen veprave të mia.


Akira Kurosawa: Kur e ngjiz një ide origjinale të cilën dua ta kthej në skenar, mbyllem në dhomë hoteli me letër e laps. Në atë pikë kam një ide të përgjithshme për fabulën dhe e di pak a shumë se si do të përfundojë. Nëse nuk e di me çfarë skene t’ia filloj, ndjek rrjedhën e ideve që burojnë në mënyrë natyrale.

García Márquez: Çfarë ju vjen në mendje përpara, ideja apo imazhi?

Akira Kurosawa: S’mund ta shpjegoj qartë, por mendoj se çdo gjë fillon me disa imazhe të shpërndara. Për dallim, e di që skenaristët këtu në Japoni së pari krijojnë një pamje të përgjithshme të skenarit, duke e organizuar sipas skenave, dhe pasi të sistematizojnë fabulën fillojnë të shkruajnë. Por, s’ma do mendja që kjo është mënyra e duhur për të shkruar, pasi ne nuk jemi Zoti.

Gabriel García Márquez: A ka qenë metoda juaj njësoj intuitive kur keni adaptuar Shekspirin apo Gorkin apo Dostojevskin?

Akira Kurosawa: Regjisorët që i bëjnë filmat dosido mund të mos e kuptojnë që është shumë e vështirë t’ia përçosh audiencës imazhet letrare përmes imazheve kinematografike. Për shembull, kur adaptohej një roman detektivësh, në të cilin një kufomë gjendej pranë shinave të hekurudhës, një regjisor i ri insistonte që një lokacion i përshtatej përsosmërisht atij në libër. “E ke gabim”, i thashë. “problemi është se ti e ke lexuar romanin dhe e di që një kufomë është gjetur pranë shinave. Por, për njerëzit që nuk e kanë lexuar nuk ka asgjë të posaçme për atë vend”. Ai regjisor i ri ishte i magjepsur me fuqinë magjike të letërsisë, pa e kuptuar që imazhet kinematografike duhet të shprehen në mënyrë tjetër.

Gabriel García Márquez: A ju kujtohet ndonjë imazh nga jeta reale që e konsideroni të pamundur ta shprehni në film?

Akira Kurosawa: Po. Atë të qytetit të minatorëve të quajtur Ilidaçi, ku kam punuar si asistent regjisor kur kam qenë shumë i ri. Regjisori në shikim të parë të pamjes e deklaroi atmosferën të mrekullueshme dhe të çuditshme, dhe kjo ishte arsyeja pse ne e xhiruam atë. Por imazhet paraqiten vetëm një qytet të rëndomtë, pasi u mungonte diçka që ne e dinim: që kushtet e punës (në qytet) ishin shumë të rrezikshme dhe që gratë dhe fëmijët e minatorëve jetonin në frikë të përhershme për sigurinë e tyre. Kur shikoni fshatin ju pështjellohet peizazhi me atë ndjenjë dhe e perceptoni më të habitshëm se që është në të vërtetë. Por kamera nuk e sheh me sy të njëjtë.

Gabriel García Márquez:: E vërteta është që unë njoh shumë pak romansierë që kanë qenë të kënaqur me adaptimet për ekran të librave të tyre. Çfarë përvoje keni ju me adaptimet tuaja?

Akira Kurosawa: Më lejoni, së pari, t’u bëj një pyetje: A e keni parë filmin tim Red Beard?

Gabriel García Márquez: E kam parë gjashtë herë në 20 vjet dhe u kam folur për të fëmijëve të mi gati për çdo ditë deri sa janë rritur për ta parë vetë. Jo vetëm që është një nga filmat tuaj më të pëlqyer nga familja ime dhe unë, por për mua është një nga më të pëlqyerit në gjithë historinë e kinematografisë.

Akira Kurosawa: Red Beard është pikë reference në evolucionin tim. Të gjithë filmat para tij janë të ndryshëm nga ata pas tij. Ishte fundi i një faze dhe fillimi i një faze tjetër.

Gabriel García Márquez: Kjo është e qartë. Për më tepër, brenda të njëjtit film ka dy skena që janë ekstreme në relacion me tërësinë e veprës tuaj, dhe të dyja janë të paharrueshme; njëra është episodi me kalin e shtrigave (mantis religiosa, lloj karkaleci) e tjetra lufta karate në oborrin e spitalit.

Akira Kurosawa: Po, por çfarë desha të ju them është që autori i librit, Shuguro Yamamoto, ka kundërshtuar gjithmonë që librat e tij të bëheshin filma. Ai bëri përjashtim me Red Beard sepse unë ngulmova me kryeneçësi të pamëshirshme deri sa ia arrita qëllimit. Megjithatë, kur e përfundoi shikimin e filmit, u kthye kah unë dhe më tha: “E pra, është më interesant se romani im.”

Gabriel García Márquez: Pyes veten, pse e pëlqeu aq shumë?

Akira Kurosawa: Sepse ai kishte vetëdije të qartë për karakteristikat qenësore të kinemasë. E vetmja gjë që kërkoi nga unë ishte që të isha shumë i kujdesshëm me protagonisten, një femër plotësisht e dështuar, siç e shihte ai. Por është interesante që kjo ide e femrës së dështuar nuk ishte eksplicite në romanin e tij.

Gabriel García Márquez: Mbase ai mendonte se ishte. Është diçka që na ndodh shpesh ne prozatorëve.

Akira Kurosawa: Ashtu është. Në të vërtetë, pasi të kenë parë filmat e bazuar në librat e tyre, disa shkrimtarë thonë: “Kjo pjesë e romanit tim është portretuar mirë.” Por në të vërtetë i referohen diçkaje që është shtuar nga regjisori. E kuptoj çfarë thonë, sepse mund të shohin të shprehur qartë në ekran, nga intuita e pastër e regjisorit, diçka që kanë menduar ta shkruajnë por nuk kanë qenë të aftë ta bëjnë.

Gabriel García Márquez: Është e ditur që: “Poetët janë përzierës të helmeve.” Por, të kthehemi të filmi juaj aktual, a do të jetë tajfuni gjëja më e vështirë për ta filmuar?

Akira Kurosawa: Jo. Gjëja më e vështirë është të punosh me kafshët. Gjarpinj uji, thnegla trëndafil ngrënëse. Gjarpinjtë e zbutur janë të mësuar shumë me njerëzit, nuk ikin instinktivisht, dhe sillen si ngjalat. Zgjidhja ishte të kapnim një gjarpër të madh të egër, i cili përpiqej të ikte me gjithë fuqinë që kishte dhe ishte vërtetë i frikshëm. Andaj luajti rolin e tij shumë mirë. Sa për thneglat, çështja ishte se duhej t’i zinim në një kuadër të vetëm tek ngjiteshin trungut të trëndafilit deri sa të arrinin te lulja. Ata ngurronin për një kohë të gjatë, derisa bëmë një vijë me mjaltë në trungun e trëndafilit dhe thneglat u ngjitën. Në të vërtetë, kemi pasur shumë vështirësi, po ia ka vlejtur, sepse kam mësuar shumë për ta.

Gabriel García Márquez: Po, e kam vërejtur. Po, çfarë filmi është ky që ka probleme si me thneglat dhe më tajfunet? Cila është fabula?

Akira Kurosawa: Është e vështirë të përmblidhet në disa fjalë.

Gabriel García Márquez: A e vret dikush dikë?

Akira Kurosawa: Jo. Thjesht flet për një grua plakë nga Nagasaki që i ka mbijetuar bombës atomike, e të cilën e kanë vizituar nipërit e saj verën e kaluar. Nuk kam filmuar skena shokuese reale, të cilat do të ishin të padurueshme dhe prapë në vetvete nuk do të shprehnin tmerrin e dramës. Çfarë dua të përçoj është lloji i plagëve që bomba atomike ka lënë në zemrat e njerëzve tanë, si fillojnë gradualisht të shërohen ato. Më kujtohet qartë dita e bombardimit, dhe, madje as sot nuk mund të besoj që kjo ka mundur të ndodhë në botën reale. Por pjesa më e dhimbshme është që japonezët tashmë e kanë lënë në harresë.

Gabriel García Márquez:Çfarë do të thotë kjo amnezi historike për të ardhmen e Japonisë dhe për identitetin e japonezëve?

Akira Kurosawa: Japonezët nuk flasin haptas për të. Politikanët tanë në veçanti janë të heshtur nga frika e SHBA-ve. Mund të kenë pranuar arsyetimin e Trumanit se ai përdori bombën atomike vetëm për të përshpejtuar përfundimin e Luftës Botërore. Për ne, lufta vazhdon ende. Statistika e të vdekurve në Hiroshimë dhe Nagasaki zyrtarisht është publikuar të jetë 230.000. Por në të vërtetë kanë vdekur mbi gjysmë milioni njerëz. Edhe sot janë 2700 pacientë në Spitalin e Bombës Atomike në pritje për të vdekur nga efektet e rrezatimit pas 45 vjetësh agonie. Me fjalë të tjera, bomba atomike ende po i vret japonezët.

Gabriel García Márquez: Shpjegimi më i arsyeshëm duket të jetë që SHBA-të u ngutën ta përfundojnë me bombë nga frika që sovjetët do ta merrnin Japoninë para se ta bënin ata.

Akira Kurosawa: Po, por pse e hodhën në qytetin e banuar vetëm me civilë, të cilët nuk kishin asgjë të bënin me luftën? Kishte përqendrime ushtarake të cilët në fakt zhvillonin luftën.

Gabriel García Márquez: As nuk e hodhën në Pallatin Perandorak, i cili duhet të ketë qenë vend i cenueshëm në zemër të Tokios. Besoj se gjithë kjo shpjegohet me faktin që ata donin ta linin të paprekur fuqinë politike dhe ushtarake për të kryer negociata të shpejta me ta, pa u dashur që të ndajnë plaçkën e luftës me aleatët e tyre. Është diçka që nuk e ka përjetuar asnjë shtet në gjithë historinë e njerëzimit. Po tash: po të ishte dorëzuar Japonia pa bombë atomike, a do të ishte e njëjta Japoni që është sot?

Akira Kurosawa: Është vështirë të thuhet. Njerëzit që i shpëtuan Nagasakit nuk duan të kujtojnë përvojën e tyre, sepse shumica e tyre, në mënyrë që të mbijetojnë, është dashur të braktisin prindërit, fëmijët e tyre, vëllezërit dhe motrat. Edhe sot ndihen fajtorë. Pastaj, forcat e SHBA-ve që pushtuan vendin për gjashtë vjet ndikuan në mënyra të ndryshme përshpejtimin e harresës, e qeveria Japoneze bashkëpunoi me ta. Unë do të pajtohesha të kuptoja gjithë këtë si pjesë e pashmangshme e tragjedisë të prodhuar nga lufta. Por besoj se, më në fund, shteti që hodhi bombën duhet t’i kërkojë falje popullit japonez. Deri sa të ndodhë kjo, kjo dramë nuk do të përfundojë.

Gabriel García Márquez: Aq gjatë? A nuk mund të kompensohet fatkeqësia me një periudhë të gjatë të lumturisë?

Akira Kurosawa: Bomba atomike është pika nistore e Luftës së Ftohtë dhe garës në armatim dhe shënon fillimin e procesit të krijimit dhe përdorimit të energjisë bërthamore. Lumturia kurrë nuk do të jetë e mundur duke pasur parasysh këtë origjinë.

Gabriel García Márquez: E kuptoj. Energjia bërthamore ka lindur si forcë e mallkuar dhe një forcë e lindur nga mallkimi është një temë e përsosur për Kurosavën. Po çka më brengos është se ju nuk e dënoni vetë energjinë bërthamore, por mënyrën se si është keqpërdorur që nga fillimi. Energjia elektrike është gjë e mirë, përkundër karriges elektrike.

Akira Kurosawa: Nuk është e njëjta gjë. Unë mendoj që energjia tejkalon mundësitë për kontrollim që mund të vendosen nga qeniet njerëzore. Në rast të gabimit në menaxhim të energjisë bërthamore, katastrofa e menjëhershme do të ishte e paanë dhe rrezatimi do të qëndronte për qindra breza. Le të mos i përdorim elementet që vazhdojnë të ziejnë për qindra mijëra vite.

Gabriel García Márquez: Një masë të madhe të besimit në humanitet ia kam borxh filmave të Kurosavës. Por, unë po ashtu e kuptoj pozitën tuaj në dritën e padrejtësisë së tmerrshme kur bomba u përdor vetëm kundër civilëve dhe amerikanët e japonezët konspiruan për të bërë Japoninë të harrojë. Por më duket njësoj e padrejtë të mallkojmë përjetë energjinë bërthamore, duke pasur parasysh që mund të kryejë shërbime të mëdha jo-ushtarake për njerëzimin.

Akira Kurosawa: Qeniet njerëzore do të jenë më njerëzore kur të kuptojnë se ka disa aspekte të realiteti që ata nuk duhet t’i manipulojnë. Unë nuk besoj se kemi të drejtë të prodhojmë fëmijë pa anus, apo kuaj tetëkëmbësh, siç po ndodh në Çernobil. Por po më duket që kjo bisedë është bërë tepër serioze, dhe ky nuk ka qenë qëllimi im.

Gabriel García Márquez: Kemi bërë gjënë e duhur. Kur një temë është serioze si kjo, nuk mund ta diskutosh ndryshe pos seriozisht. A hedh ndopak dritë në mendimet tuaja për këtë çështje filmi që e keni në proces të përfundimit?

Akira Kurosawa: Jo drejtpërdrejt. Unë kam qenë gazetar i ri kur është hedhur bomba dhe kam dashur të shkruaj artikuj për atë që kishte ndodhur, por ishte absolutisht e ndaluar deri në përfundim të pushtimit. Tani, për të bërë këtë film, kam filluar të hulumtoj dhe të studioj këtë temë dhe tani di shumë më shumë se atëherë. Por, sikur t’i shprehja mendimet e mia drejtpërdrejt në film, nuk do të shfaqej në Japoninë e sotshme, as kudo tjetër.

Gabriel García Márquez: A mendon se mund të jetë e mundur të botohet transkripti i këtij dialogu?

Akira Kurosawa: S’kam asgjë kundër. Përkundrazi. Kjo është një çështje për të cilën duhet të japin mendimet e tyre shumë njerëz në botë, pa kufizime të asnjë lloji.

Gabriel García Márquez: Ju faleminderit shumë! Duke pasur parasysh të gjitha, po të isha japonez, për këtë temë, do të isha po aq i palëkundur sa ju. Dhe në çdo rast, unë ju kuptoj. Asnjë luftë s’është e mirë për askënd.

Akira Kurosawa: Ashtu është. Problemi është që kur fillojnë të shtënat, madje edhe Krishti dhe engjëjt kthehen në shefa të shtabeve ushtarake. /Telegrafi/