LAJMI I FUNDIT:

Abudraimi: Në vitin 2015 në Gostivar ka më pak krim se në vitin 2014

Abudraimi: Në vitin 2015 në Gostivar ka më pak krim se në vitin 2014

Komuna e Gostivarit me një komunikatë të drejtuar Telegrafit Maqedoni, njofton opinionin dhe qytetarët e Gostivarit se këshilltarët komunal kanë miratuar raportin e policisë për vitin 2015.

Në seancën e 29 të Këshillit të Komunës së Gostivarit, me shumicë të votave këshilltarët aprovuan raportin për punën e Stacionit Policor të Gostivarit për vitin 2015, njofton Telegrafi Maqedoni.


Para votimit, komandanti i ri i Stacionit Policor të kompetencës së përgjithshme, Gazi Abudraimi para këshilltarëve paraqiti raportin një vjeçar me ç’rast vuri në dukje që kriminaliteti dhe devijimet e tjera ligjore në vitin 2015 shënuan ulje nga viti 2014, ndërkohë që është rritur edhe efikasiteti i policisë në drejtim të parandalimit të dukurive negative. “Në vitin 2015 në territorin që mbulon Stacioni Policor në Gostivar, përfshi edhe dy komunat rurale, Vrapçishtin dhe Mavrovë – Rostushën, shënohet reduktim i kriminalitetit në masën prej 10 % në krahasim prej vitit 2014. Në vitin 2015 gjithsej janë kryer 893 vepra penale për të cilat janë parashtruar 411 kallëzime penale kundër 461 kryerësve, ndërkohë që vitin 2014 ishin kryer gjithsej 1059 vepra penale”, tha mes tjerash komandanti, Gazi Abudraimi i cili po ashtu theks të veçantë vuri tek shtimi i masave të sigurisë në dhe rreth objekteve shkollore.

Kryetari i Komunës, Nevzat Bejta e përshëndeti këtë raport dhe përgëzoi komandantin e ri të Stacionit Policor të Gostivarit, Gazi Abudraimi për sukseset e treguara në ditën e para të menaxhimit të tij me Stacionin Policor.
“Të nderuar përfaqësues të mediumeve, të nderuar përfaqësues të OSBE-së, të nderuar këshilltarë. Për periudhën e shkuar dymujore, komandanti i ri ka treguar përkushtim të veçantë ndaj qytetarëve të Gostivarit . Dhe ajo që më gëzon shumë, nga gjithë qytetarët pa dallim etniteti apo përkatësia partiake dëgjoj fjalë të mira për punën e tij”, tha mes tjerash kryetari Nevzat Bejta./Telegrafi/