LAJMI I FUNDIT:

Faturat e shtrenjta të energjisë elektrike – Abdixhiku, pozitës: Kthejani qytetarëve paratë dhe shkarkojeni bordin e ZRRE-së

Faturat e shtrenjta të energjisë elektrike – Abdixhiku, pozitës: Kthejani qytetarëve paratë dhe shkarkojeni bordin e ZRRE-së
Foto: Arkiv

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se nga sot faturat e energjisë elektrike për qytetarët do të llogariten pa shtrenjtim.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për faturat e shtrenjta të cilat janë faturuar që nga muaji shkurt i këtij viti.


Sipas tij, qeveria duhet t’ua kthej qytetarëve paratë, të cilat siç i quajti Abdixhiku janë “para të plaçkitura kundërligjshëm”.

“Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%. Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet”, ka shkruar ai duke paralajmëruar se LDK nga e hëna, do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim.

“Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë. Shkarkimi është i pa alternativë. Siç është e pa alternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë. Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook, Abdixhiku. /Telegrafi/