LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku kërkon komision hetimor për paratë e shpenzuara nga Qeveria

Abdixhiku kërkon komision hetimor për paratë e shpenzuara nga Qeveria

Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor që do të bëjë hetimin e të gjitha mjeteve të ndara deri më tani nga buxheti i shtetit për të lobuar në botë për përmirësimin e imazhit të Kosovës.

Ai tha se një pjesë e parave që janë ndarë për lobim për shtetin e Kosovës janë shndërruar në lobim individual për politikanët në hall, siç është rasti me presidentin e vendit.


“LDK paralajmëron sot në këtë seancë se do të kërkoj formimin e komisionit hetimor parlamentar për të vënë dritë mbi të gjitha raportimet e dhëna deri më tani mbi të gjitha paratë e shpenzuara dhe kontraktuara deri metash për çështje të lobimit. Nga sot ne do të nisim mbledhjen e nënshkrimeve për këtë komision hetimor dhe këtu ftojmë secilin ta mbështesë këtë nismë tonën. LDK do të kërkojë zbardhjen e secilës lëndë, secilës kontratë të secilit angazhim të devijuar që mund të ketë ndodhur deri me tani për çështjet e lobimit. Keqpërdorimet e tilla jo vetëm që paraqesin shkelje kushtetuese, por ato përmbajnë edhe akte penale në vete dhe të njëjtat do të trajtohen në këtë dritë”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK shfaq shqetësimin e saj lidhur me shpenzimin e parasë publike. Lumi Abdixhiku ka përmendur edhe gjendjen alarmante të rezervave të shtetit në vetëm dy muaj ekzekutim. /Telegrafi/