LAJMI I FUNDIT:

AAK: Paqja sociale nuk blihet me 50, as me 100 euro

AAK: Paqja sociale nuk blihet me 50, as me 100 euro

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se masat që sot janë propozuar sot nga Qeveria, janë vërtetë mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike.

AAK, përmes një komunikate, thotë se “të bllokohen investimet kapitale duke i lënë pa punë 60% të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen ato para për ndihma sociale, është veprim anti ligjor, antikushtetues dhe ofendues për popullin e Kosovës”.


“Sulmet që kryeministri u bën komunave për, siç shprehet ai, sulm ndaj shtetit, janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre. Kryeministri më mirë është ta ndërrojë ministrin e vet, sepse komunat nuk mund t’i ndërrojë!”, thuhet në komunikatën e AAK-së, transmeton Telegrafi.

Më tej AAK thotë se “pakoja e prezantuar nga Kurti, është mashtrim ordiner”.

“Nuk kapërcehet kriza me lëmoshë. Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese. Paqja sociale nuk blehet me 50 e as me 100 euro!”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Ndryshe, kryeministri Kurti ka prezantuar pakon e re për përballje me inflacion prej 150 milionë eurosh. Në këtë pako parashihet mbështetja e familjeve që kursejnë energji elektrike, mbështetje për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistët, studentët dhe familjen nën asistencë sociale.

Në pakon e re të qeverisë pensionistët do të marrin shumën e njëhershme prej 100 eurove, ndërsa familjet në asistencë sociale do të mbështeten duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Për zyrtarët publikë do të ndahet shtesa 50 euro duke filluar nga muaji shtator, ndërsa për punëtorët e ndërmarrjeve publike shuma 100 euro.

Qeveria do të mbështesë secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Përkrahja e qeverisë do të zgjerohet edhe për studentët, për të cilët do të ndahet shuma 100 eurove në nëntor.

Ndaj pakon e prezantuar nga kryeministri Kurti, për përballje me inflacionin e kanë kritikuar edhe përfaqësues të partive të tjera opozitare. /Telegrafi/