A po pret Barcelona që Reali t’ua bëjë “Korridorin e nderit?”, përgjigjet Hansi Flick

Barcelona ka rritur edhe më shumë epërsinë në krye të La Ligas, pasi mposhti Getafen dhe hapi një diferencë prej 11 pikësh, duke e bërë reale mundësinë që titulli të sigurohet para përballjes me Real Madridin në maj.
Nëse kjo ndodh, atëherë, sipas traditës, Real Madridi do të duhej të rreshtohej në fushë dhe t’i jepte Barcelonës “korridorin e nderit” para nisjes së El Clasico-s.
I pyetur për këtë skenar, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, nuk u ndal te polemikat dhe e minimizoi rëndësinë e çështjes.

“Duhet ta marrim hap pas hapi. Kjo është të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Do të jetë e vështirë. Real Madridi do të luftojë. Këto gjëra nuk më shqetësojnë”, deklaroi Flick.
Ai shtoi se objektivi i Barcelonës është i qartë: “Ne duam ta fitojmë La Ligën, kjo është e sigurt”.
Ndërkohë, sipas mediave madrilene, te Real Madridi thuhet se është marrë tashmë një vendim i prerë: në asnjë rrethanë nuk do t’i japin Barcelonës “korridorin e nderit”, edhe nëse katalanasit e sigurojnë titullin para duelit mes dy rivalëve./Telegrafi/





















































