A po mundohet Trump ta ndajë Kanadanë - zyrtarët amerikanë takohen me separatistët nga Alberta

Përfaqësues të presidentit amerikan, Donald Trump janë takuar me aktivistë që mbështesin shpërbërjen e provincës Alberta nga Kanadaja.
Udhëheqësit e Alberta Prosperity Project, një grup separatist i së djathtës ekstreme që kërkon pavarësi për këtë provincë perëndimore, janë takuar tre herë me zyrtarë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së në Uashington që nga prilli i kaluar.
Ata planifikojnë një tjetër takim në muajin shkurt, ku do të mund të diskutojnë për një linjë kredie prej 500 miliardë dollarë për të financuar provincën nëse referendumi për pavarësi miratohet.
Megjithatë, sipas burimeve, Shtetet e Bashkuara nuk pritet të japin mbështetje materiale për lëvizjen separatistike. Por këto bisedime tregojnë për shtim të tensioneve në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Otawës.
Në fillim të janarit, Bloomberg raportoi se kanadezët kishin frikë se vendi mund të jenë “shënjestra e ardhshme e Trumpit” pas Grenlandës dhe Venezuelës. Gjatë vitit 2025, Trump e quajti ish-kryeministrin Justin Trudeau “guvernator i një shteti të madh federal të Kanadasë” në kontekstin e mosmarrëveshjeve mbi tarifat. Më vonë ai tha se Kanadaja mund të shmangte tarifat dhe të merrte mbrojtje ushtarake nëse do të bashkohej me SHBA-në.
Në muajin dhjetor, legjislatura e Albertes miratoi një peticion që kërkon shkëputjen e provincës nga Kanadaja. Mbështetësit e pavarësisë thonë se provinca jep një kontribut të madh ekonomik, por se nuk përfaqësohet mjaftueshëm politikisht.
Sipas CBC, nëse autoritetet miratojnë referendumin, ai duhet të mbahet më së largu deri më 18 tetor 2027, në ditën e zgjedhjeve të ardhshme provinciale. /Telegrafi/




















































