LAJMI I FUNDIT:

A ekziston familja?

A ekziston familja?

Klementin Mile

‘Të gjitha familjet e lumtura’, shkruan Tolstoi, ‘i ngjajnë njëra-tjetrës; çdo familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e saj’. Por, a ekziston familja? Nëse sot jemi duke e mbrojtur nga dhuna, nga divorci, nga transformimi, a jemi duke mbrojtur familjen apo diçka tjetër?


Sociologët thonë që familja është një grup njerëzish të lidhur me njëri-tjetrin përmes gjakut dhe përmes marrëdhënieve ligjore dhe seksuale, ku të rriturit janë përgjegjës për kujdesin dhe rritjen e fëmijëve. Juristët, nga ana e tyre, përdorin terma si ‘bashkësi vitale’ dhe ‘bërthamë natyrore’ për ta përkufizuar familjen dhe e lidhin me ‘martesën’ si bashkëjetesë ligjore.

Natyrisht, këto përkufizime merren si premisa për të zgjidhur problemet dhe konfliktet, për të atribuuar fajin dhe për të dëmshpërblyer. Në këtë kuptim, ato janë reale, duke qenë se sjellin ndryshime në shoqëri. Por, realiteti i diçkaje nuk na thotë edhe të vërtetën e saj. Ashtu sikundër ekzistenca e një gjëje nuk na shfaq edhe esencën e saj. Rreziku është se mund të biem në gabimin klasik të Dekartit, i cili, nga premisa e padyshimtë ‘Unë mendoj’ nxori konkluzionin logjikisht të pajustifikuar ‘pra, unë ekzistoj’, në vend që të pranonte konkluzionin e justifikuar dhe më modest ‘pra, ekziston mendimi’.

Çështja e ekzistencës së familjes është e lidhur pazgjidhshmërisht me esencën e saj. Kjo do të thotë që duhet të shohim esencën e familjes, për të kuptuar nëse mund të ekzistojë apo jo familja. Atëherë, cilat janë tiparet esenciale të familjes? Çfarë ka unike te esenca e saj?

Filozofi dhe teoricieni gjerman Niklas Luhmann na thotë që në familje sekreti është ilegjitim e se gjithçka që i përket jetës personale (veprimit dhe përvojës) të anëtarëve të familjes, duhet komunikuar në familje. Pra, tipar esencial i familjes është transparenca e personit. Transparencë ka edhe në sisteme të tjera të shoqërisë (në ekonomi, në politikë, në arsim), por ajo nuk i kërkohet njeriut si person, po vetëm asaj pjese të njeriut që angazhohet për të performuar një rol (si shitës, si politikan, si pedagog). Ndërsa, lidhur me personin, këto sisteme të tjera të shoqërisë kërkojnë pikërisht mos shprehjen e personalitetit – personi duhet të mbetet i errët, sekret, privat.

Së dyti, Luhmann thotë që tipar esencial i familjes është kombinimi i martesës me dashurinë. Por, martesa dhe dashuria kanë imperative të ndryshme: martesa e arrin optimalen e vet në kohëzgjatje, në qëndrueshmëri, në ekstensitet, ndërkohë që dashuria e arrin optimalen në njësinë e çastit, në pasion, në intensitet. Në terma figurativë, martesa është horizontale, ndërsa dashuria vertikale. Kontributi i secilës është shkatërrimi i tjetrës. Kjo papajtueshmëri e martesës me dashurinë e shpreh qartë esencën e familjes si pamundësi.

Pra, familja është e pamundshme në esencën e vet. Por, si ka mundësi që sot flasim kaq normalisht për ekzistencën e familjes? Si mund të ekzistojë diçka që esenca nuk ia lejon të ekzistojë?

Filozofi i lashtë grek Parmenidi, na tregon tri rrugë në botën që jetojmë: Rruga e qenies, rruga e mosqenies, dhe rruga e dukjes. Kjo do të thotë që një gjë ose mund të jetë, ose mund të mos jetë, ose mund të duket sikur është. Për familjen, si kombinim i dy të kundërtave të papajtueshme – martesës dhe dashurisë – nuk mund të thuhet se është. As nuk mund të thuhet se nuk është. Mund të thuhet vetëm që duket sikur ekziston. Ose mund të thuhet që ekziston si dukje.