"77 milionëshit" i del problem edhe me Jose Mourinhon - portugezi i ashpër, përmend edhe pasojat

Trajneri i Fenerbahces, Jose Mourinho, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj sjelljes së sulmuesit të ri, Jhon Duran, i cili ka munguar pa paralajmërim në fazën përgatitore të ekipit në Portugali.
Duran, që iu bashkua klubit turk në formë huazimi për një sezon nga Al-Nassr, nuk u paraqit në stërvitje, duke nxitur reagimin e fortë të Mourinhos, i cili e quajti mungesën e tij një “mungesë respekti” ndaj skuadrës dhe stafit.
“Do të flasim me të kur të shfaqet... nëse shfaqet. Klubi ka rregulla të qarta dhe kushdo që nuk i ndjek ato do të mbahet përgjegjës”, deklaroi portugezi i njohur për BBC Sport.
Ky është një fillim aspak i mirë për 20-vjeçarin kolumbian në aventurën e tij të re në Stamboll.
Transferimi i tij te Fenerbahçe erdhi vetëm gjashtë muaj pasi kaloi nga Aston Villa te Al-Nassr për një shumë prej 77 milionë euro– një nga lëvizjet më të shtrenjta të një lojtari të ri në vitet e fundit.
E ardhmja e Duran në skuadrën e Mourinhos tashmë është në dyshim serioz, ndërkohë që klubi pret kthjellime dhe një sqarim zyrtar për mungesën e tij. /Telegrafi/















































