LAJMI I FUNDIT:

7,500 familje në nevojë në Kosovë do të marrin ndihmë nga BE dhe UNDP

7,500 familje në nevojë në Kosovë do të marrin ndihmë nga BE dhe UNDP

Projekti i Ndihmës Humanitare i financuar nga BE-ja (HAP) i zbatuar nga UNDP do të përforcojë Qendrat për Punë Sociale në të gjithë Kosovën me 40 punonjës socialë vullnetarë të Kombeve të Bashkuara për 12 muajt e ardhshëm si dhe do të mbështesë 7,500 familje në nevojë që jetojnë në varfëri të skajshme me produkte ushqimore, higjienike dhe sende të tjera thelbësore për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ky aksion i përbashkët është mbajtur në prani të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Tomáš Szunyog, përfaqësueses së përhershme të UNDP-së, Maria Suokko, si dhe përfaqësueseve te tjerë te institucioneve të BE-së, UNDP-së, UNV-së dhe Kosovës.

Skema e praktikës me pagesë për punonjësit socialë të sapo diplomuar, psikologët dhe sociologët – si Vullnetarë të Komunitetit të Kombeve të Bashkuara – do të sigurojë një lehtësim të menjëhershëm, duke forcuar kapacitetet e Qendrave për Punë Sociale (QPS). Kjo do të jetë gjithashtu një mundësi për praktikantët për të fituar përvojë profesionale.

Këta vullnetarë janë përzgjedhur dhe kanë filluar punën e tyre 12 mujore në fund të prillit në QPS në të gjithë Kosovën.

Me këtë rast, ministri Murati, theksoi se duke u bazuar edhe në Planin qeveritar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është e angazhuar për hartimin dhe zbatimin e politikave sociale që synojnë mbështetjen e grupeve të cenueshme dhe punësimin e të rinjve.

Ai gjithashtu theksoi se identifikimi i familjeve që plotësojnë kushtet është kryer përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale në të 38 komunat e Kosovës.

“Pandemia ka vështirësuar sistemin e mbrojtjes sociale të Kosovës. Kriza ka goditur veçanërisht rëndë ata që tashmë po përpiqen të sigurojnë jetesën. Tani kemi një mundësi unike, me mbështetjen e BE-së, për t’u dhënë një lehtësim atyre qe gjenden në situata më të cenueshme – si në drejtim të sigurimit të ndihmës së përkohshme, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve të Qendrave të Punës Sociale”, tha ai. /Telegrafi/