LAJMI I FUNDIT:

75 milionë euro për Kosovën nga programi IPA 2023, i dedikohen adresimit të krizës energjetike

75 milionë euro për Kosovën nga programi IPA 2023, i dedikohen adresimit të krizës energjetike

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nënshkruajnë marrëveshjen financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2023, në vlerë prej 75 milionë euro të cilat do të shkojnë në fushën e energjisë.

Bislimi në një deklaratë për gazetarë tha se këtë vit marrëveshja financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së i është dedikuar financimit në fushën e energjisë, raporton Telegrafi.

“Kosova përfiton 75 milionë euro nga ky program dhe këto do të ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike…  Marrëveshja hyn në fuqi sot, në ditën e nënshkrimit dhe menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje, pra për 67.5 milionë euro të cilat do të disbursohen shumë shpejt në buxhetin e shtetit tonë”, tha zv/kryeministri.

Ai bëri të ditur se pjesa tjetër, prej 7.5 milionë eurove do të disbursohet vitin e ardhshëm pas plotësimit të kushteve të caktuar në marrëveshjen  financiare.

Ndërkaq, në njoftimin e BE-së bëhet e ditur se 75 milionë euro janë kësti i parë i parave që Kosova do t’i marrë nga pakoja e BE-së për mbështetjen për energji për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 1 miliardë eurosh, të krijuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj për t’i ndihmuar rajonit që ta kapërcejë krizën energjetike dhe rritjen e madhe të çmimeve të energjisë që i ka shkaktuar pushtimi i plotë, i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës.

“Pushtimi i plotë, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndikuar në tërë botën, duke shkaktuar kriza energjetike dhe ushqimore. Efektet e këtyre krizave i kanë ndjerë më së shumti ekonomitë më të cenueshme, ndërsa BE-ja ka ndërhyrë që ta mbështesë Ukrainën që t’i shmanget pushtimit, por edhe t’u ndihmojë partnerëve të saj që të përballen me krizat”, tha ambasadori Szunyog.

“BE-ja ka qëndruar pranë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit dhe e ka përfshirë Ballkanin Perëndimor në veprimet e saj për t’u ndihmuar shteteve anëtare që të përballen me krizën, duke përfshirë planin REPowerEU. Mbështetja financiare e ofruar përmes Pakos për mbështetjen për energji të BE-së vjen si shtesë dhe synon t’i mbështesë drejtpërsëdrejti njerëzit dhe bizneset në Kosovë”, shtoi Szunyog.

Nga 75 milionë euro që BE-ja po i transferon tani në Kosovë, një e treta ose 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti, për rreth 200,000 familje, duke përfshirë pensionistët, nënat vetë-ushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara.

15 milionë euro do të shkojnë për motivimin e publikut për ta kursyer energjinë, duke iu ofruar familjeve subvencione për faturat e energjisë të barabarta me shumat që ata i kanë kursyer krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo masë do të zbatohet për periudhën janar-prill 2023 dhe nga ajo pritet të përfitojnë rreth 160,000 familje.

35 milionë eurot e mbetura do të përdoren për t’u ndihmuar familjeve dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) që ta rrisin efiçiencën e energjisë.

“Rreth 12,000 familje që banojnë në shtëpi private apo banesa në objektet e strehimit social do të mbështeten me përmirësim të termoizolimit (fasadave, dritareve dhe dyerve), ndërsa 10,000 familje të tjera do të mbështeten me blerje të pajisjeve efiçiente. Rreth 1,000 NMVM do të mbështeten për të blerë dhe instaluar sisteme të ngrohjes me energji efiçiente dhe burime të ripërtëritshme të energjisë, siç janë panelet diellore fotovoltaike ose termike”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Referuar komunikatës, fondet e ofruara do të përdoren nga Qeveria e Kosovës për ta vazhduar zbatimin e masave të planifikuara për zvogëlimin e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike te qytetarët tanë.

“Kjo është hera e parë në kuadër të përfitimit nga fondet e IPA-s që BE-ja i ofron të gjitha fondet e programit vjetor si mjete që derdhen drejtpërsëdrejti në buxhetin e vendit dhe kjo është pikërisht pas kërkesës sonë si Kosovë e orientuar kah Bashkimi Evropian”, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri Bislimi.

“Mbështetja e BE-së prej 75 milionë eurosh e plotëson skemën e qeverisë për mbështetje të energjisë. Dua ta shpreh mirënjohjen time për Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe besimin e tij në vendin tonë. Ky besim na inkurajon që të punojmë edhe më shumë dhe ta vazhdojmë ngritjen e kapaciteteve institucionale në të gjitha institucionet e linjës”, shtoi Bislimi.

BE-ja mbetet ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën, me 1.2 miliardë euro të ofruara përmes Instrumentit të Asistencës së para Anëtarësimit (IPA) I dhe II, nga viti 2007 deri në vitin 2022. Ndihmë financiare e mëtejshme tani po ofrohet përmes IPA III. BE-ja është po ashtu partneri më i madh tregtar i Kosovës. /Telegrafi/