LAJMI I FUNDIT:

63 milionë euro shtesë për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit? Kush e ka fajin?

63 milionë euro shtesë për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit? Kush e ka fajin?

Raportet e mira ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Bechtel & Enka, e cila ka ndërtuar autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë ka bërë që kjo kompani të përzgjidhet edhe për ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi” që e lidhë Prishtinën me Shkupin. Ka mundësi që kompania Bechtel & Enka ta fitojë tenderin edhe për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan, e cila është planifikuar të fillojë së ndërtuari në vitin 2018.

Por planet Bechtel & Enka-s mund t’ia “prishin” vonesat në pagesat për punët që ka kryer në autostradën e dytët të Kosovës.


Në kontratën e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit saktësohet se çdo vonesë për shtyrjen e borxheve ka penallti, e për këtë kompania Bechtel & Enka ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pagesën në shumë prej 63 milionë euro.

E pagesa e kësaj shumë është e pa kuptimtë për shumë kënd, pasi kjo shifër mund ta rrezikojë buxhetin edhe pse zyrtarët qeveritar e mohojnë një gjë të tillë.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se për vitin 2018-të janë planifikuar të investohen në infrastrukturë rrugore 687 milionë euro.

“Për vitin 2018-të janë planifikuar të ndërtohen autostradat Prishtinë -Hani i Elezit, Prishtinë-Gjilan, si dhe do të përfundojë rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë dhe rruga për Podujevë. Pastaj do të përfundojë rruga Skenderaj – Drenas dhe zgjerimi i rrugës Dollcë – Gjakovë këto janë rrugët që do të kryhen. 687 milionë euro më 2018 do të investohen në infrastrukturë”, tha ai.

Por mos pagesa ndaj kompanisë Bechtel & Enka për punët që ka kryer ka bërë që të “dënohet” Qeveria e Kosovës me  63 milionë euro, pasi që një gjë e tillë është edhe në kontratë.

Zëvendësministri Gashi ka thënë se do të diskutojnë me këtë kompani dhe shpresojnë që të arrihet një pajtim për uljen e kësaj shume.

“Shpresoj që Ministria e Infrastrukturës do të ulet dhe do të gjejnë një gjuhë të përbashkët me Bechtel & Enka për zvogëlimin e kësaj shume. Kjo shumë na bënë probleme, por do të shikojmë mundësitë për menaxhimin e shpenzimeve për ta mbuluar këtë dënim. Me buxhetin e vitit 2018-të nuk do të ketë vonesa për pagesa për kryerjen e punës në autostradë sepse janë paraparë të gjitha”, tha ai.

Fatmir Gashi fajin për këtë ngarkesë buxhetore i hedhë ish-ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

“Me Bechtel & Enka kemi marrëdhënie të mira, por një mos kujdes i ish-ministrit të Infrastrukturës për mos kryerjen e obligimeve ka bërë të ndodh kjo situatë. 63 milionë janë shumë për Kosovën dhe kjo shumë shpresoj se do të ulet”, tha Gashi.

Por, ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku në qeverinë e Isa Mustafës ka thënë se duhet të jepen sqarime se përse Bechtel&Enka fillimisht ka kërkuar rreth 15 milionë euro, e tash Qeverisë Haradinaj po i kërkon 63 milionë euro.

“Kjo çështje nuk ka lidhje as me mua, e as me Ministrinë e Infrastrukturës sepse buxheti përcaktohet nga Qeveria dhe aprovohet nga Kuvendi. Ministria e Infrastrukturës vetëm ka mbikëqyrë aspektin operacional të punëve, gjegjësisht harxhimin e mjeteve të ndara me ligj, kurse në aspektin politik është përcjellë nga ana e Komisionit ndërministror. Vendimi i Komisionit ndërministror për shumën e cekur është përcjellë në Qeveri me gjithë materialin përkatës. Qeveria aktuale duhet ta sqarojë pse këtyre Bechtel & Enka po iu kërkon 63 milionë euro, kurse nga Qeveria e kaluar kanë kërkuar 14,78 milionë euro”, ka thënë Zharku për Telegrafin.

Më 8 dhjetor ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka konfirmuar se për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave kostoja e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit do të rritet për 63 milionë euro.

“Kompania Bechtel&Enka si punëkryerëse dhe Qeveria si punëdhënëse kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në një vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro. Pas 1 shtatorit të vitit 2015 ky çmim është rritur në 608 milionë e 348 mijë e 630 euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16 në 18 për qind”, ka treguar ai.

Por zgjatja e kohës së përfundimit dhe e vonesës së pagesave ka bërë që shuma për pagesës të rritet edhe më shumë.

“Në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, kurse janë paguar vetëm 55 milionë euro. Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro, janë paguar 112 milionë euro, në fillim të vitit janë alokuar vetëm 90 milionë euro. Në vitin 2016 është dashur të paguhen 205 milionë euro, janë paguar 155 milionë e 978 mijë euro. Në fillim të vitit janë alokuar vetëm 108 milionë euro. Këto vonesa kanë shkaktuar vonesa në përmbushjen e detyrimeve të debitorit në këtë rast Bechtel&Enka, me fajin e kreditorit Qeverisë së Kosovës ”, pati thënë Lekaj.

Ai ka treguar se Bechtel& Enka ka kërkuar që për këto arsye qeveria do të duhet të paguaj 63 milionë euro më shumë se sa kostoja fillestare.

“Kërkesa e punëkryerësit, e drejta për përshtatje të drejtë të çmimit kontraktues për shkak të zgjatjes së projektit, klauzola 16 e kontratës, ndërprerja dhe zgjidhja e kontratës nga kontraktori. Dëmi i shkaktuar nga shpenzimet e rrjedhshme nga zgjatja e afatit për përfundimin e punimeve, (klauzola 16, a dhe b) e kontratës indirekte. Personali menaxhues për administrimin e projektit ka kushtuar 16.6 milionë euro, pajisjet bazuar në përdorueshmërinë e tyre 30.8 milionë euro. Ndërprerjet, shpenzimet e krijuara për shkak të humbjes së produktivitetit për vitin 2014, 2015 dhe 2016 për shkak të zgjatjes se afatit të përfundimit ka kushtuar 10 milionë euro. Totali që është saktë 63 milionë euro”, tha Lekaj, shkruan Telegrafi.

Zëdhënësja e kompanisë Bechtel &Enka, Ela Ruçi ka konfirmuar për Telegrafin se kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës pagesën e 63 milionë euro shtesë për shkak të vonesave.

Ajo thotë se si kompani shpresojnë që të gjejnë gjuhë të përbashkët.

“Ne e kemi informuar Ministrinë e Infrastrukturës që kostoja për vonesat dhe ndryshimet në planifikimin dhe ekzekutimin e projektit në 2.5 vitet e kaluara është rreth 63 milionë euro. Ne do punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës, si gjithnjë, për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Ruçi për Telegrafin.

Por po më 8 dhjetor në seancën e njëjtë të Kuvendit të Kosovës ka reaguar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte thënë se janë të tepruara kërkesat e kompanisë.

“Fakti që Bechtel&Enka i kërkon 63 milionë euro nuk do të thotë që me automatizëm duhet pranuar si kërkesa legjitime të tyre sepse po me duket e tepruar që Bechtel&Enka t’i kërkoj Kosovës 30 milionë pse i kanë qëndruar kamionët në Kosovë, po me duket e tepruar që t’i kërkoj 16 milionë të tjera për rrogat e stafit të tyre për shkak të vonesave 11 milionë euro”, kishte thënë Abdixhiku./Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Ekonomi
Me datën 16 prill 2024 hapen panairet tradicionale në sallën 1 Tetori në Prishtinë

Me datën 16 prill 2024 hapen panairet tradicionale në sallën 1 Tetori në Prishtinë

Ekonomi
Pse duhet ta kemi një plan të komunikimit në rast se ballafaqohemi me kriza?

Pse duhet ta kemi një plan të komunikimit në rast se ballafaqohemi me kriza?

Sherife Kçiku Vishaj
Fortesa Home feston 33-vjetorin: Mbi 300 produkte në zbritje!

Fortesa Home feston 33-vjetorin: Mbi 300 produkte në zbritje!

Fortesa Home
10 Vjet Provit - Një dekadë e zhvillimit dhe inovacionit në botën e fitnesit

10 Vjet Provit - Një dekadë e zhvillimit dhe inovacionit në botën e fitnesit

provit
KODE Labs siguron financim prej $30M në Serinë B për të përshpejtuar objektivat neto-zero për industrinë e patundshmërisë

KODE Labs siguron financim prej $30M në Serinë B për të përshpejtuar objektivat neto-zero për industrinë e patundshmërisë

Ekonomi
Kalo në kategori