LAJMI I FUNDIT:

550 mijë veta kanë përfituar nga falja e borxheve

550 mijë veta kanë përfituar nga falja e borxheve

Me 1 shtator, përfundon afati për faljen e borxheve publike për personat juridikë dhe fizikë në Kosovë, të akumuluara prej datës 31 dhjetor, 2008.

Deri më tash janë rreth 550 mijë raste, të cilët kanë përfituar nga falja e borxheve, thonë zyrtarë të Ministrisë së Financave. E kompanitë publike apelojnë te qytetarët borxhlinj që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Deri me 1 shtator, qytetarët kanë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të përfituar nga falja e borxheve të akumuluara prej 31 dhjetorit të vitit 2008. Ka mbetur edhe pak kohë deri në shfuqizimin e këtij ligji.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, në një përgjigjeje elektronike për Radio Kosovën, bën të ditur se nga raportet e institucioneve të përfshira në zbatim të Ligjit për faljen e borxheve, deri më tani afërsisht janë 550 mijë raste, të cilët kanë përfituar nga falja e borxheve, dhe atë nga institucione të ndryshme shtetërore dhe ndërmarrje publike.

Vetëm në Korporatën Energjetike të Kosovës nga falja e borxheve kanë përfituar mbi 119 mijë konsumatorë, qoftë më shlyerje automatike apo më ri-programim të borxhit. Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, tha për Radio Kosovën, vlera totale e borxhit të falur deri më tani është rreth 103 milionë euro.

“Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, ndërkaq nuk është e kënaqur me numrin e kërkesave të konsumatorëve për të përfituar nga ky ligj.
Zëdhënësja Arbërie Zogiani tha për radion tonë se shuma e borxhit që do të falet arrin mbi 23 milionë euro, ndërsa tha se deri më tani janë shlyer vetëm 10 milionë.

Derisa zyrtarë të ndërmarrjeve publike apelojnë te konsumatorët që të shfrytëzojnë këtë të drejtë, zyrtarët qeveritarë thonë se nuk është diskutuar për një mundësi tjetër të shtyrjes së afatit për falje të borxheve publike.