LAJMI I FUNDIT:

5 libra nga shkrimtare frymëzuese shqiptare që duhet t’i lexoni ndërsa jeni nën karantinë

5 libra nga shkrimtare frymëzuese shqiptare që duhet t’i lexoni ndërsa jeni nën karantinë

Çfarë do të bësh me gjithë këtë kohë dhe mungesë të argëtimit jashtë? Lexo, natyrisht!

Në këtë situatë jo të dëshiruar për të gjithë ne dhe qëndrimit të gjatë në ambiente te brendshme është e rëndesishme që fizikisht por edhe mentalisht ta mbajmë vetën aktiv. Libri është një mjet i vërtetuar nga studime të ndryshme për benefitet e shumta dhe ndikimit të thellë që ka tek psikologjia njerëzore. Ashtu si çdo muskul tjetër në trup, ashtu edhe truri kërkon ushtrime për ta mbajtur atë të fortë dhe të shëndetshëm. Prandaj libri na ndihmon ta përballojmë çdo sfidë në të cilën gjendemi.

Libraria Dukagjini përzgjodhi si rekomandim 5 libra nga shkrimtare shqiptare të cilat sollën libra shkëlqyera për t’i lexuar.

1. “DASHURI E HUAJ” NGA ELVIRA DONES

“… Kur kam filluar të gaboj në mënyrë të pandreqshme, Iv? Mbas gjashtë ditësh është mbrëmja e fundit e vitit dhe unë nuk kam çfarë të festoj. Nuk kam aspak dëshirë të festoj. Çfarë t’i them vetes për vitin që po mbyllet? Kthej kokën mbrapa dhe në humbëtirën e vetmisë të gjej ty, në hollin e hotelit Danmark.

Mos ishe ti një gabim tjetër?

Nuk e di. E vetmja gjë që di me siguri është se të desha. Do të të kisha dashur në çfarëdo çasti të jetës sime që do të të takoja. Është e vetmja e vërtetë që kam. Gjithë pjesa tjetër është një mjegull e mundimshme…

Dashuri e huaj, një nga prozat më tërheqëse,  me stil të veçantë, me frazë të zhdërvjellët, me dialog të natyrshëm ai rreshtohet midis romaneve më të mirë.

Në dramën e heroinës së librit secila prej nesh do të rijetojë një pjesë të dramës së vet. Një roman ku historia e dhimbshme e një populli të tërë ndërthuret me historinë e një vajze të re, të mbushur me iluzione dhe me ëndrra për të ardhmen. Një histori sa e ndërlikuar në vështrim të parë dhe e kollajtë për t’u gjykuar, aq dhe e natyrshme. Gabimet janë njerëzore dhe si të tilla të pranueshme, të korrigjueshme, të falshme.

2. “FROSINA E JANINES” NGA MIRA MEKSI

Paul Despier – i gjeti një letër të tij të shkurtër e pa komente, ku jepej kallëzimi i një murgu të arratisur nga Janina: “Zonjën Frosinë e mbyllën në një sëndyk venecian të larë në argjend dhe pak përpara se të zbardhte e hodhën në ujërat pis të liqenit. Pas saj, diku më larg, shprazën në liqen gjithë mllefin e Ali Pashait, vezirit të Janinës, duke mbytur, lidhur këmbë e duar edhe gjashtëmbëdhjetë gra të tjera që lebetiteshin duke thirrur zot e qiell.

Ndërsa ajo hyri pa zë në varrin e larë në argjend, duke duruar përunjazi kurorën e turpit mbi kokë: i shëmbëllente një hijeje, fytyra i qe tretur dhe zbardhëritur si shkumës, flokët i qenë bërë të tejdukshëm, duart i mbante të lidhura në një lutje të përjetshme, vetëm buzët e përvëluara si të paskëshin mbledhur gjithë dashurinë e botës. Sytë i kishin marrë një dritë të veçantë shprese, e cila nuk i përkiste dritës së kësaj bote…”

Në thelb të romanit qëndron historia e një dashurie të penguar: dashuria jashtëmartesore mes Frosinës, mbesës së peshkopit të Janinës, dhe Muktar Pashait, birit të Ali Pashë Tepelenës, tiranit të tmerrshëm të Janinës së shekullit XVIII…

3. “NUK JAM ENGJËLL” NGA BRUNILDA ZLLAMI

Po flitet shumë për letërsinë e angazhuar, atë letërsi që të bën të mendosh, të kuptosh dhe të reagosh. Pikërisht në këtë drejtim rrjedh romani i Brunilda Zllamit. Jetë grash të zakonshme, nga ato që hasim çdo ditë. Në karrierë apo shtëpiake, në metropol apo në zona rurale, të pavarura apo të dërrmuara nga pesha e zakoneve mesjetare, ato janë në kërkim të lumturisë, të asaj lumturie që ka formën e vet tejet personale.

Të ngërthyera në martesa të venitura, të privuara nga ëndrrat, të drobitura nga muret që sa vijnë e ngushtohen rreth tyre, të tjetërsuara nga mjedisi që iu ka caktuar rregulla që duhet të ndjekin. Gra që kërkojnë dashurinë dhe gra që s’e kanë njohur kurrë atë, gra që duan karrierën dhe gra që s’janë shkolluar kurrë, gra që duan respekt dhe gra që dhunohen çdo ditë.

Pra, çfarë është lumturia vallë? Nëse është një koncept ideal ku ndihemi të përmbushura, cila është optika që na lejon ta shikojmë dhe a duhet të ndjekim të njëjtën rrugë për ta arritur? “Nuk jam engjëll”, sigurisht nuk është një roman që tregon rrugën drejt lumturisë, por evokon dëshirën, guximin, pasionin, forcën që gjendet brenda çdo gruaje. Tek e fundit, një grua është njeri, nuk ka nevojë për etiketa. Ajo s’është statujë, s’është demon dhe kur dikush ia cenon atë që ka të çmuar, sigurisht që nuk është as engjëll.

4. “ENGJËJ TË ARMATOSUR” NGA DIANA ÇULI

Frymëzuar nga një histori e vërtetë

Ai është një komandant i famshëm, ajo komisare politike në të njëjtin batalion.
Ajo është jashtëzakonisht e bukur, ai është tmerrësisht tërheqës. Bien në dashuri me njeri-tjetrin,
por rregullat e egra të luftës nuk e pranojnë dhe nuk e lejojnë këtë dashuri të ndaluar. Ky faj duhej ndëshkuar me dënimin kapital: me ekzekutim. Si do të vendosë gjyqi partizan?  Do t’i pushkatojë të dy?  Apo vetëm njerin, atë që, sipas këtyre gjykatësve të malit, ka shtirë tjetrin në ngasje?
Dhe kujt, prej të dyve, do t’i bjerë shorti tragjik?

“Engjëj të armatosur” na flet për një nga periudhat më të glorifikuara e, në të njëjtën kohë, më të përgojuara, më të nëmura e më të paragjykuara në mbarë historinë tonë. Edhe pse gjithçka zë fill e niset nga një marrëdhënie në dukje sentimentale mes dy personave, Dorothe Gjikës dhe Aleks Lazarit, në të vërtetë ajo shkon e shpërfaq një pjesë të atij kuadri epik të luftës me ngjyra të ndezura që i shkojnë aq fort për shtat peizazhit të Bregut, dekorit ku zhvillohen ngjarjet, me tone të spikatura realiste.

Engjëj të armatosur” sipas kritikës është romani më i arrirë i Diana Culit. Një punë shumëvjecare kërkimore e hulumtuese mbi histori lufte e histori njerëzore, një thellim në kohë dhe hapësirë për të kuptuar honet e shpirtit dhe kapërcimet e mendjes, një përshkrim i hollësishëm e ekzotik i njërës prej krahinave më interesante të Shqipërisë, Bregut të Detit, i karakterit mesdhetar të banorëve të tij, i pasioneve, vrulleve, traditave, legjendave të hershme dhe të tashme, të gjitha këto në sfondin e Luftës së Dytë Botërore. Proza e saj është përkthyer dhe botuar në Itali, Francë, Kinë, Rusi, etj. ”

5. “KANGË POPULLORE EROTIKE” NGA VLORA NIKÇI

Muajt e fundit, mes librave të shumtë të botuar, vëmendjen e lexuesve tërhoqi një libër që trajton një temë mjaft të guximshme dhe shumë pak tëdëgjuar më parë. Ai vjen si rezultat i një pune të gjatë dhe të mundimshme të Vlora Nikçit.

Libri “Kangë popullore erotike” përmban rreth 70 kënge të mbledhura nga trevat e Rugovës. Këngë këto që kanë mbijetuar nëpër kohëra duke u kënduar brez pas brezi, e kurrë të botuara më herët.

Duke qenë se në kohërat e hershme seksualiteti nuk shprehej hapur, në shumë këngë përdoreshin metafora e krahasime që “maskonin” kuptimin erotik të tyre. Këtu qëndron edhe e veçanta e librit si një përmbledhje shumë e bukur e këtyre këngeve të kënduara nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë.

Artikull i sponzorizuar