LAJMI I FUNDIT:

Më 21 maj testi i arritshmërisë,

Më 21 maj testi i arritshmërisë,

Janë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e testit të arritshmërisë në bazë të planit dinamik të punës, që më datë 21 maj të këtij viti, testit t’i nënshtrohen mbi 32 mijë nxënës të klasave të nënta në vendin tonë.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde (DVS) në Ministrinë e Arsimit (MASHT), Mustafë Kadriu, ka thënë për KosovaPress se këtë vit testi do të organizohet ende pa përfunduar mësimi.


“Jemi duke punuar me planin dinamik që e kemi përfunduar në fund të dhjetorit dhe sipas planifikimit testin e klasës së nëntë e kemi më 21 maj 2016. Tash bëhet pyetja pse bash në maj kur akoma janë nxënësit në mësim, por edhe në shumë vende gjatë procesit të mësimit i organizojnë testet. Kjo datë është mjaft e përshtatshme sepse pas përfundimit të rezultateve, në momentin kur nxënësit e përfundojnë shkollën i marrin edhe pikët e testit dhe mandej iu hapet mundësia e vazhdimit të shkollimit të mëtutjeshëm”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, sa i përket rëndësisë së organizimit të këtij testi, Mustafa ka theksuar se që nga viti 2004, kur ka filluar të aplikohet ky test në vendin tonë, ka bërë shumë diferencime në orientimin e nxënësve për shkollimin e mesëm të lartë.

“Në qoftë se ndalemi, pikërisht tek filozofia e testit të klasës së nëntë, e ka kuptimin e orientimit të nxënësit në shkollimin e mëtutjeshëm, arritshmëria kuptohet por edhe orientimin. Unë mendoj se testi i klasës së nëntë funksionin e vet e ka realizuar nga 2004 deri tash më 2016 dhe vërtetë e ka bërë një diferencim të nxënësve sipas rezultateve që i kanë arritur”, është shprehur ai.

Udhëheqësi i DVS-së, Mustafë Kadriu ka deklaruar se tani janë duke u hartuar pyetjet e testit dhe ka shtuar se modeli i hartimit të pyetjeve është duke shkuar në drejtim të asaj që sa më shumë të ketë pyetje praktike në mënyrë që të dihet qartë në fund të testit se a është mësuar lënda e caktuar.

“Për klasën e nëntë testi organizohet një ditë në katër fusha: në fushën e gjuhës shqipe dhe gjuhë angleze 25 pyetje, 20+5, histori gjeografi 25 pyetje, matematikë dhe informatikë 25 pyetje dhe shkencave natyrore 25 pyetje që jep me kuptua 100 pyetje gjithsej. Maksimumi i pikëve që marrin nxënësit është 100. Këtu nuk ka kalueshmëri por arritshmëri ”, është shprehur Mustafa.

Testi i arritshmërisë këtë vit në vendin tonë organizohet më 21 maj, kurse rezultatet shpallen më 27 maj, derisa afati i ankesave është deri më 1 qershor.