LAJMI I FUNDIT:

Me 16 ditë vonesë, minatorët e Trepçës marrin 80 për qind të pagës

Me 16 ditë vonesë, minatorët e Trepçës marrin 80 për qind të pagës

Pas 16 ditëve vonesë, minatorët e ndërmarrjes Trepça kanë marrë sot 80% të pagës, përderisa pjesën tjetër sipas premtimeve të menaxhmentit, ata do ta marrin ditëve në vijim. Nga menaxhmenti i ri thonë se kanë një plan për të dal nga kriza, në mënyrë që pagat më të mos vonohen.

Në grevë u desh të futeshin minatorët e ndërmarrjes Trepça në mes të muajit të kaluar, në mënyrë që t’iu dalin pagat e muajit tetor.


Mirëpo, edhe pagat e nëntorit, minatorët e punëtorët e tjerë të ndërmarrjes, i kanë marrë me vonesë dhe jo të plota.

Përfaqësuesi ligjor i Trepçës, Fuad Haliti ka treguar për Radio Televizionin Dukagjini se pjesën tjetër të pagës minatorët do ta marrin ditëve në vijim.

“Është e vërtetë që e kemi pasur një vonesë në ekzekutimin e pagave, mirëpo sot janë ekzekutuar pagesat për punëtorët e minierës në Trepçë dhe në Artanë dhe me flotacione në lartësi prej 80%, ndërsa për menaxhment dhe njësi të tjera jo prodhuese në lartësi prej 50% të pagës”, deklaroi Fuad Haliti, përcjell Telegrafi.

Përkundër disa lajmeve të publikuara për greva, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani thotë se ato ishin dezinformata.

“Punëtorët dhe menaxhmenti e kanë bërë një marrëveshje që me pritë se pagat do të dalin, një pjesë tash një pjesë më vonë. Unë si sindikatë nuk kam qenë i informuar se do të ketë grevë e as që do të ketë refuzim të punës. Veç këto kanë qenë lajme të  pavërteta të portaleve”, shprehet Gani Osmani.

Pas grevës së muajit të kaluar, ish-kryeshefi i ndërmarrjes, Hysen Vrajolli dha dorëheqje, për të ardhur më pas në pozitën e tij Enes Muzaqi si ushtrues detyre.

Haliti që është përfaqësues ligjor i Trepçës, tregon se kanë hartuar një plan emergjent për të dal nga kriza.

“Të ngritët prodhimi në minierën e Artanës dhe në minierën e Stan Tërgut. Të rritet disiplina në punë pavarësisht masave që duhet të merren, reduktimit të stafit, punëtorët esencial në pozitën ku na duhen të mos lirohen nga puna. Tjetër iniciativë është që të zvogëlohen shpenzimet operative të Trepçës”, thotë Fuad Haliti.

Sipas asaj që është bërë publike, borxhet e gjigantit të dikurshëm metalurgjik llogaritet të jenë rreth 8 milionë euro./Telegrafi/