Policia Rajonale në Ferizaj ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka vazhduar aktivitetet e shtuara në terren, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.

Sipas policisë, njësitet policore të stacioneve në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në rrugë, si pjesë e angazhimeve për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.


Gjatë kësaj periudhe janë raportuar gjithsej 16 aksidente trafiku, prej të cilave pesë me lëndime trupore, ku kanë mbetur të lënduar shtatë persona, ndërsa 11 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

Po ashtu, Policia Rajonale në Ferizaj ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë shqiptuar 274 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion.

Në fund, policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/