LAJMI I FUNDIT:

“120 ditët e Sodomës” dhe vizioni real i së keqes edhe 200 vjet pasi u shkrua

“120 ditët e Sodomës” dhe vizioni real i së keqes edhe 200 vjet pasi u shkrua

Markezi de Sad (Marquis de Sade) është një nga të paktët shkrimtarë që i dha botës një mbiemër (sadist). Por problemi qëndron te mënyra si u kuptua vepra e tij. Pa e lexuar, kushdo mund të supozojë se e di për çfarë vepra e tij flet. Vetëm nëse i kushton vëmendjen e duhur veprës së tij, ti mund të fillosh të kuptosh se ajo nuk është letërsi erotike, aq më pak pornografi, por diçka më monstruoze, groteske dhe që të shkakton makth.

Kryevepra e tij është “120 ditët e Sodomës”, një përzierje skenash vrasjesh, torturash dhe krimesh seksuale që testojnë kufijtë e imagjinatës njerëzore. Nuk është një libër i lehtë për t’u lexuar, përshkrimet në të të lënë pa frymë. Por, ajo që rrezikon ta bëjë lexuesin të dorëzohet është ndjesia e atmosferës klaustrofobike që libri të shkakton. Bota që krijon de Sadi është pak a shumë kafkiane, një botë e dominuar nga mizoria dhe e keqja, ku çdo shpresë për t’u çliruar prej saj është e pagjasë.

Kjo nuk mund të ngjajë aspak e çuditshme, pasi vetë libri është shkruar brenda një qelie burgu. Në kohën e Revolucionit Francez në vitin 1789, De Sade u dënua me 11 vjet burg, fillimisht në Vincenes e më pas në Bastijë. Fillimisht ai u arrestua me akuzat e helmimit dhe sodomisë. Ai nuk u gjykua deri në vitin 1790. I burgosur pa pasur ende një proces gjyqësor, ai e kaloi kohën mes fantazive seksuale dhe shkroi “120 ditët e Sodomës”. Për t’u shpëtuar kontrolleve të gardianëve, ai shkruante mbrëmjeve në copëza të vogla letre, të cilat më pas i fshihte në të çarat e murit të qelisë.

Katër personazhet kryesore të librit janë një dukë, një peshkop, një gjyqtar dhe një financier, të cilët të marrë së bashku përfaqësojnë rendin moral dhe politik të Francës së asaj kohe (praktikisht përgjegjës për mbajtjen e de Sadit në burg). Ata janë rritur në bollëk dhe pushteti nuk u ka munguar gjatë mbretërimit të Luigjit të XIV, por tani janë të lodhur dhe të dëshpëruar për të rindezur jetën seksuale. Për këtë qëllim, ata organizojnë një orgji njëmujore në një kështjellë mesjetare në mes të një pylli. Historia vijon me një seri përshkrimesh në një mënyrë kryesisht të paanshme, megjithatë narratori ndërhyn herë pas here për t’i kujtuar lexuesit se po e tregon këtë histori që nëpërmjet saj t’i mësojë atij të urrejë vesin. Ishte kjo perspektivë e shtrembëruar, qëllimisht e çoroditur, që e çoi shkrimtaren Simone de Beauvoir ta përshkruante De Saden si moralist, i cili i inkurajon njerëzit që të jenë të mirë duke i bërë të revoltohen me të keqen.

Dhe, revoltimi është i madh. Në pjesën më të madhe të librit, De Sade përpiqet ta fyejë dhe ta poshtërojë lexuesin duke e drejtuar në caqet më të largëta të shturjes dhe me anë të leximit ta bëjë bashkëpunëtor. Kjo, të paktën, ishte pikëpamja e romancierit dhe filozofit Georges Bataille, i cili edhe vetë nuk ishte i huaj me shkrime të kësaj natyre. De Sadi – i burgosuri i mërzitur dhe i obsesionuar – merr hak ndaj botës duke krijuar një lloj letërsie, e cila nuk është vetëm për të keqen, por, me fuqinë e saj për të shkatërruar, trazuar ose nxitur për keq, është edhe vetë e keqe.

“120 ditët e Sodomës” është një dokument historik që përputhet dhe ilustron tensionet e Francës para-revolucionare, një vend në rënie të lirë historike. Duhet theksuar se në pjesën më të madhe të periudhës pas vdekjes së tij, De Sade më shumë u diskutua sesa u lexua.

Cilësia e mendimit të De Sade është arsyeja që ai ia vlen ende të lexohet në shekullin XXI, sigurisht nëse keni stomak të fortë. Në kohën kur jetoi, vizioni i tij i tmerrshëm i Lirisë Absolute ishte një pasqyrë e saktë e mizorive të vërteta të Terrorit. Më vonë Raymond Queneau, një romancier francez, shkroi se shkrimet e Sades ishin “një pararendës halucinant i një bote të sunduar nga Gestapo dhe torturat në kampet e tij”. Albert Kamy ra gjithashtu dakord duke vënë në dukje se “nga kështjella e ngurtë e De Sades deri te në kampet e përqendrimit, liria më e madh e njeriut konsistonte vetëm në ndërtimin e burgut të krimeve të veta”.

Por, njohuria më e madhe që përmban proza e De Sade është se impulsi për t’u shkaktuar dhimbje të tjerëve ka të bëjë njëkohësisht me seksin dhe fuqinë (pushtetin). Në këtë masë, akti sadist ka të bëjë me politikën, aq sa ka të bëjë me oreksin seksual. Është ky aspekt i mendimit të tij, që e ka përcaktuar imazhin e De Sade-s, atëherë dhe tani, si teoricien mjeshtër i transgresionit.

Me abuzimet në burgun e Abu Ghraibit, një kujtim i viteve të fundit, dhe me mizoritë e ISIS-it pak më vonë, romani i De Sade-s duket aq i rëndësishëm për tmerret e epokës sonë, njësoj si për ato të kohës së tij. /The Economist/