LAJMI I FUNDIT:

100 marrëveshje Kosovë-Shqipëri për pak ekonomi e shumë politikë

100 marrëveshje Kosovë-Shqipëri për pak ekonomi e shumë politikë

Me gjithë pretendimin e të dy qeverive se ka pasur përparim, mbledhja e shtatë e përbashkët që u mbajt në Elbasan ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duket si përsëritje e takimeve të mëparshme, të cilat nuk sollën një bilanc të qartë të arritjeve ekonomike.

Dhe në takimin e fundit, qeveritë e dy vendeve sërish premtuan heqje të barrierave kufitare për tregtinë dhe për këtë nënshkruan 13 Marrëveshje, Memorandume e Protokolle. Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në rreth 100, shkruan Telegrafi.


Këto marrëveshje shpesh kanë qenë në kritikën për mënyrën e organizimit dhe bërjes kryesisht të një “show medial” e më pak zbatim të këtyre marrëveshjeve në përditshmëri.

Ende është e paqartë se sa kanë ndikuar këto marrëveshje për të përmirësuar bilancin tregtar ndërmjet dy vendeve, ku sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nuk është vërejtur ndonjë ndryshim rrënjësor prej fillimit të takimeve.

Raporti i fundi i tregtisë së jashtme, publikuar nga ASK për vitin 2021, tregon një rritje të eksporteve kosovare në drejtim të Shqipërisë prej 1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë 2021-së, kompanitë kosovare në drejtim të tregut shqiptar eksportuan 111 milionë euro nga 110 milionë euro që ishte një vit më herët. Krahasuar me vendet e CEFTA-së, Shqipëria merr pjesë me 14.7 për qind të eksporteve, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 11.5 për qind, Serbia me 5.9 për qind dhe Mali i Zi me 3.2 për qind, nga totali prej 278 milionë euro.

Qarkullimi i mallrave me Shqipërinë | Burimi: ASK

E kundërta po ndodh me importet shqiptare drejt tregut të Kosovës. Për këtë vit, nga Shqipëria janë importuar 267 milionë euro nga 191 milionë euro që ishte gjatë 2020-së. Importet nga vendet e CEFTA-së në këtë muaj arritën në 893 milionë euro. Serbia vazhdon të mbetet vendi me pjesëmarrje më të lartë për import më 6.54 për qind, pasuar nga Shqipëria me 5.7 për qind, Maqedonia e Veriut me 5.2 për qind dhe Bosnja e Hercegovina me 1.1 për qind.

Hekuri i përpunuar dhe mbeturinat me përmbajtje të tyre janë produktet që Kosova eksporton më së shumti në drejtim të Shqipërisë, që përbëjnë 37 milionë euro nga totali, ndjekur nga pijet alkoolike dhe jo alkoolike me një pjesëmarrje prej 15 për qind.

Po ashtu, hekuri është produkti kryesor që kompanitë shqiptare e sjellin në Kosovë. Gjatë 2021-së, janë importuar shufra hekuri dhe çeliku në vlerë prej 123 milionë euro. Në drejtim të vendit tonë janë sjellë 31 milionë euro gëlqere, cement dhe material ndërtimor i fabrikuar. Për këtë vit janë importuar 10.5 milionë euro, me një rritje prej 99 për qind, krahasuar me 2020-në.

Realizimi i objektivave të dala nga marrëveshjet tregtare Kosovë-Shqipëri | Burimi: Instituti GAP dhe Instituti Riinvest

Instituti GAP, Instituti Riinvest dhe Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara tregtare.

Këto organizata kanë publikuar dy studime mbi marrëveshjet tregtare mes dy shteteve, një nga perspektiva e Kosovës me titull “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri” dhe tjetri nga perspektiva e Shqipërisë “Dy shtete një ekonomi”.

Rekomandimet e dala nga këto dy studime përfshijnë pikërisht zbatimin e marrëveshjeve, eliminimin e barrierave dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese.

Studimet rekomandojnë, mes tjerash ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqja e barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik; harmonizimin e legjislacionit për taksat dhe akcizat; heqjen e barrierave ekzistuese në kuadër të vendosjes dhe themelimit të biznesit në të dy vendet; krijimin e instrumenteve të përbashkëta (sikurse Fond i Përbashkët Investimi); si dhe plotësimin e vendimit për përdorimin e Portit të Durrësit nga Dogana e Kosovës për eksport dhe jo vetëm për import. /Telegrafi/