LAJMI I FUNDIT:

Zyrtari i BE-së vizitoi Manastirin e Banjskës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit

Zyrtari i BE-së vizitoi Manastirin e Banjskës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit

Gjatë një vizite dyditore në Kosovë, zëvendës drejtori menaxhues për Evropën i  Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimi Evropian, Marko Makovec, takoi të enjten përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Banjskës me të cilët diskutoi rolin e liderëve fetarë në nxitjen e marrëdhënieve paqësore midis komuniteteve.

Kështu thuhet në një postim në Facebook, të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.


“I shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Kosovë dhe shefi i EULEX-it, Makovec ka takuar edhe disa bashkëbisedues në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, dhe është informuar nga EULEX-i.

Vizita, e cila përfundon sot me një seri takimesh në Prishtinë, tregon interesin dhe angazhimin e fuqishëm të BE-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh në Banjskë të Zveçanit.

Nga ky sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Në kundërpërgjigje të sulmit, Policia vrau tre persona të grupit terrorist.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e mori Milan Radoiçiq. Ky i fundit në kohën e sulmit ishte nënkryetar i Listës serbe, parti kjo e serbëve në Kosovë që ka lidhje të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/