Zyrtare: Henry pensionohet nga futbolli

37-vjeçari së fundi bëri të ditur se do të largohet nga New York Red Bulls, por nuk kishte vendosur nëse do ta vazhdojë karrierën si futbollist diku tjetër. Megjithatë tash përmes një deklarate ai ka qartësuar se nuk do të kthehet më në fushë si futbollist profesionist.
“Pas 20 vitesh duke luajtur kam vendosur të pensionohem nga futbolli profesionist. Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm dhe do të doja të falënderoj të gjithë tifozët, bashkëlojtarët dhe individët e përfshirë me Monaco, Juventus, Arsenal, Barcelona, New York Red Bulls dhe sigurisht ekipin kombëtar të Francës që e ka bërë kohën time aq të veçantë”, shkruhet në deklaratën e Henry, transmeton Telegrafi.
“Tash është koha për një rrugë tjetër në karrierë dhe jam i kënaqur të them se do të rikthehem në Londër dhe t’i bashkohem Sky Sports. Shpresoj t’i ndaj me ju disa analiza, vëzhgime dhe përvoja që i kam mësuar gjatë viteve”.
“Kam pasur disa kujtime të mahnitshme (shumicën e tyre të mira!) dhe një përvojë të mahnitshme. Shpresoj se jeni kënaqur duke shikuar po aq sa unë jam kënaqur duke marrë pjesë. Shihemi në anën tjetër...”, shkruhet më tej në deklaratë. /Telegrafi/





















































