Zyrtare: Gostivari tërhiqet nga kampionati – akuzon FFM-në për padrejtësi sistematike

Klubi i Futbollit Gostivari ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga kampionati, duke akuzuar Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) për qasje të padrejtë dhe ndëshkime të qëllimshme ndaj klubit, njofton Telegrafi.
Në një reagim public në faqen zyrtare tw klubit, drejtuesit e Gostivarit shprehen se vendimi është marrë pas një sërë padrejtësish të akumuluara gjatë sezonit, përfshirë dënime të rënda disiplinore, gabime të përsëritura të gjyqtarëve dhe trajtim të pabarabartë të lojtarëve, veçanërisht atyre të huaj.
“Nuk kemi marrë ende asnjë dokument zyrtar nga FFM. Të gjitha informacionet i kemi nga faqja e tyre. Ndëshkimet janë të ashpra dhe të papreceden, ndërsa sjellja e federatës synon të heshtë zërin tonë dhe të pengojë përparimin tonë sportiv,” thuhet në deklaratë.
Klubi e përmend si shembull rastin e futbollistit turk, Alper Potuk, i cili është pezulluar për dy vite aktivitet, pavarësisht sqarimeve të dhëna në FFM dhe kontributit të tij në promovimin e futbollit vendor dhe në Turqi.
Drejtuesit e Gostivarit theksojnë se vendimi për moszhvillimin e ndeshjes së fundit nuk ishte i papritur, por rezultat i padrejtësive të vazhdueshme dhe mungesës së reagimit institucional.
“Me keqardhje, por me bindje të plotë se po veprojmë drejt, njoftojmë tërheqjen e klubit tonë nga kampionati. Kërkojmë rishqyrtim të vendimeve dhe anulimin e dënimeve për kapitenin dhe lojtarët tanë,” thuhet në fund të komunikatës. KF Gostivari u shpreh gjithashtu mirënjohje klubeve të tjera për garën dhe uroi suksese të mëtejshme. /Telegrafi/


















































