Dinamo e Ferizajt ka zyrtarizuar largimin e Arsim Abazit nga posti i trajnerit, pavarësisht se skuadra ferizajase po kalon një sezon shumë të suksesshëm në Ligën e Parë, ku është lidere së bashku me Vushtrrinë.

Ferizajasit kanë grumbulluar deri më tani 59 pikë dhe mbeten në pozitë të favorshme për ta realizuar objektivin historik, ngjitjen për herë të parë në Superligën e Kosovës.


Klubi e ka konfirmuar vendimin përmes një njoftimi zyrtar, ku ka vlerësuar punën e Abazit gjatë qëndrimit të tij në krye të ekipit.

“FC Dinamo njofton se ka ndarë rrugët me trajnerin Arsim Abazi. Gjatë periudhës 4-mujore në klub, trajneri Abazi ka dhënë kontribut profesional dhe përkushtim maksimal. FC Dinamo e falënderon për punën e bërë dhe i uron suksese në vazhdim. Ndërkohë, drejtimin e ekipit nga tani e tutje do ta marrë trajneri Egzon Shabani”, thuhet në njoftim.


Mbetet të shihet se cilat do të jenë arsyet e plota të kësaj ndarjeje dhe si do të ndikojë ndryshimi në bankinë në garën për promovim, teksa Dinamo synon ta mbyllë sezonin në vendet që dërgojnë në elitë. /Telegrafi/

telegrafi sport app