Ajax ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit të majtë të Arsenalit, Oleksandr Zinchenko, i cili ka nënshkruar një kontratë afatshkurtër me klubin nga Amsterdami.

Zinchenko, 31 vjeç, largohet nga Arsenali pas tre vjet e gjysmë, që kur u transferua nga Manchester City në vitin 2022 për 35 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe, ai zhvilloi 91 paraqitje me “Topçinjtë”, duke shënuar tri gola.


Reprezentuesi i Ukrainës, i cili ka 75 ndeshje me kombëtaren, gjashtë muajt e fundit i kaloi si i huazuar te Nottingham Forest, ku regjistroi vetëm pesë paraqitje në Liga Premier.

Në Amsterdam, Zinchenko ka firmosur një kontratë gjashtëmujore, e cila do t’i mundësojë drejtorit teknik Jordi Cruyff, që nis zyrtarisht punën më 1 shkurt, të rivlerësojë kontributin e mbrojtësit dhe gjendjen financiare të klubit gjatë verës.

Në një njoftim zyrtar, drejtori sportiv i Ajaxit, Marijn Beuker, e mirëpriti Zinchenkon dhe vlerësoi përvojën e tij si një aset të rëndësishëm për skuadrën.

“Me Oleksandr po sjellim një lojtar me përvojë, i cili na jep menjëherë një rritje cilësore në garën për futbollin e Ligës së Kampionëve. Si mbrojtës i majtë, ai është taktikisht shumë i fortë, ofron stabilitet në mbrojtje dhe përshtatet në mënyrë perfekte me stilin tonë të lojës”, deklaroi Beuker.

“Oleksandr e ka dëshmuar në Liga Premier se, përveç cilësive mbrojtëse, mund të luajë një rol të rëndësishëm edhe në ndërtimin e lojës dhe thyerjen e linjave kundërshtare. Jemi shumë të kënaqur që ai do ta forcojë skuadrën tonë të paktën deri në verë”.

Eredivisie nuk është terren i panjohur për Zinchenkon, i cili sezonin 2016/17 e kaloi i huazuar te PSV, ku zhvilloi 17 ndeshje në të gjitha garat.

Aktualisht, Ajax renditet në vendin e katërt në Eredivisie, vetëm një pikë prapa Feyenoordit të vendit të dytë, ndërsa është 18 pikë larg liderit PSV./Telegrafi

telegrafi sport app