LAJMI I FUNDIT:

Zyra Kombëtare e Auditimit: Projekti ‘Bashkimi i qytetit të Ferizajt’ do t’i nënshtrohet kontrollit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit: Projekti ‘Bashkimi i qytetit të Ferizajt’ do t’i nënshtrohet kontrollit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton projekti “Bashkimi i qytetit të Ferizajt” do t’i nënshtrohet auditimit publik.

Sipas ZKA-së, objektivi i këtij auditimi është që të vlerësohet nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit.


“Ndërtimi i projektit ‘Bashkimi i qytetit të Ferizajt’ ka për qëllim uljen e aksidenteve në trafik, rritjen ekonomike/të hyrave të Komunës përmes qirave dhe parkingjeve nëntokësore, uljen e fluksit të automjeteve dhe lehtësimin e qarkullimit për automjetet që janë në transit. Projekti i lidh dy pjesët e qytetit të ndara nga hekurudha dhe ka vlerën mbi 5.5 milionë euro. Aktivitetet e prokurimit në Komunën e Ferizajt, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra/shërbime/punë e arrin qëllimin e përcaktuar të Autoritetit Kontraktues”, njofton ZKA.

Subjekt i këtij auditimi do të jetë Komuna e Ferizajt, përkatësisht Departamenti i Prokurimit, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Infrastrukturës. Kurse, Departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përfshihet në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit. /Telegrafi/