Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Zyhrije Pllana është emëruar në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale, duke thënë se ajo do të ketë rol të rëndësishëm në udhëheqjen dhe realizimin e projekteve zhvillimore.

“Zyhrije Pllana emërohet në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale, duke marrë përsipër një rol të rëndësishëm në udhëheqjen dhe realizimin e projekteve zhvillimore”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.


Ai ka theksuar se Pllana ka përvojë të gjatë institucionale në Kryeqytet dhe se ka qenë e përfshirë në procese kyçe.

“Me një përvojë të gjatë dhe të dëshmuar në Kryeqytet, znj. Pllana ka qenë pjesë e proceseve kyçe institucionale, duke kontribuar me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Rama.

Rama ka shprehur, po ashtu, besim në aftësitë e saj për ta udhëhequr këtë drejtori dhe për t’i avancuar projektet strategjike.

“Shprehim mirënjohje dhe besim të plotë në aftësitë e saj për të udhëhequr me sukses investimet kapitale dhe për të avancuar projektet me rëndësi strategjike”, ka shtuar ai.

Në të njëjtin postim, kryetari i Prishtinës ka falënderuar edhe Sokol Havollin për punën e deritanishme në këtë detyrë.

“Njëkohësisht, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për Sokol Havolli për kontributin e tij, përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë ushtrimit të kësaj detyre deri tani”, ka shkruar Rama.

Në fund, Rama i ka uruar suksese Pllanës në detyrën e re, ndërsa Havollit në angazhimet e radhës profesionale. /Telegrafi/