LAJMI I FUNDIT:

Zjarret në vend, Peleshi: Situata më serioze në Karaburun, vendet fqinje nuk na ndihmojnë dot

Zjarret në vend, Peleshi: Situata më serioze në Karaburun, vendet fqinje nuk na ndihmojnë dot

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një deklaratë për mediat pak pas mesnate ka treguar detaje për situatën e zjarreve në vend.

Përpara mediave ministri deklaroi se mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile e kishte kërkuar ai dhe janë ndarë detyrat për gjithsecilin që të ketë një angazhim maksimal për shuarjen e flakëve.


Ministri tha se situata më serioze është në Karaburun, por është bërë e mundur shmangia e flakëve drejt bazës së Pashalimanit që mund të kishte pasoja të rënda.

“Tani që flasim vatra më serioze është ajo e Karaburunit. Kemi arritur të shmangim avancimin e zjarreve drejt bazës së Pashalimanit, dhjetëra efektivë të FA kanë punuar aty sot së bashku me forcat nga pushteti vendor por shqetësimi i fundit të cilin e kemi diskutuar edhe në hartë së bashku me komandantin e Forcës Mbështetëse për Mbrojtjen Civile dhe me kolegë të tjerë dhe më Prefektin është shqetësimi i vatrës së zjarrit mbi Dukat sepse ne jemi akoma rreth dy kilometra larg parkut të Llogarasë por ne duam të shmangim me çdo kusht shtrirjen e zjarrit në këtë park”, tha ai.

Më tej numri i një i mbrojtjes u shpreh se është komunikuar dhe me vendet fqinje për ndihmë, por si Turqia, Greqia apo dhe Italia nuk kanë shumë kapacitete për të ndihmuar pasi janë në një situatë emergjente.

“Lajmi jo shumë i mirë është që nuk është se ka shumë kapacitete në dispozicion nga vendet fqinj sepse janë përfshirë në emergjenca shumë më të rënda se tonat, kam parasysh Turqinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë ku sot kam folur me Ministren e Mbrojtjes së Kroacisë para dy orësh, kam kërkuar mbështetjen me hidroplan, nuk kanë patur mundësi të na përgjigjen menjëherë por gjithsesi jemi në radhë për t’i përdorur sapo të lirohet një kapacitet”, shtoi ministri.

Në fund tregoi se operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë deri kur të izolohet vatra e fundit./tvklan.al