LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet evropiane dhe fushatat e dezinformimit

Zgjedhjet evropiane dhe fushatat e dezinformimit
Ilustrim

Këtë vit zhvillohen zgjedhje në shumë vende të botës, mes të cilave, në muajin qershor, edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Përfaqësues të BE-së që kanë si detyrë të bien në gjurmë të dezinformimeve, ndodhen në gjendje alarmi.

Shërbimi diplomatik i BE-së, European Union External Action Service (EEAS), ka krijuar një ekip të ngarkuar me detyrën e luftimit të dezinformatave. Ky ekip ka publikuar një raport ku tregohet për 750 raste gjatë të cilave akterë të huaj me qëllim kanë përhapur dezinformata. Pjesa më e madhe e informacioneve të sajuara vijnë nga Rusia, e cila “përpiqet të justifikojë luftën kundër Ukrainës”, siç thonë autorët e raportit.


Pjesa më e madhe e informacioneve të sajuara drejtohet kundër Ukrainës, pasuar nga informacione të sajuara kundër Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Polonisë. Gati 150 institucione, përfshirë edhe BE-n, NATO-n dhe kompanit; mediatike si Deutsche Welle, Reuters dhe Euronews preken prej këtyre informacioneve të sajuara.

Në raportin vjetor, i cili përpilohet që prej dy vjetësh në lidhje me dezinformatat, EEAS flet për “përpjekje të qëllimshme, strategjike dhe të koordinuara, për manipulimin e fakteve, trazimin e ujërave, krijimin e përçarjeve si dhe përhapjen e frikës dhe urrejtjes” në mënyrë të vazhdueshme. Një zhvillim që ia vlen të përmendet është ai i vitit të kaluar, kur u bënë përpjekje për të shpërndarë dezinformata që kishin të bënin me gjininë seksuale ose komunitetin LGBTQ.

Josep Borrell është një nga politikanët e rangut të lartë të BE-së dhe shpesh objektiv fushatash dezinformimi. Gjatë prezantimit të raportit të sipërpërmendur, ai e vlerësoi problemin si një nga rreziqet më të mëdha për çështjet e sigurisë të epokës sonë. “Nuk kemi të bëjmë me një bombë, që shpërthen dhe vret njerëz, por me një helm që sulmon trurin”, paralajmëroi ai.

Për ta bërë më të qartë rrezikun ai përmendi një shembull nga Franca. Mbas sulmeve të 7 tetorit të Hamasit, militantët islamikë të vlerësuar si organizatë terroriste nga Gjermania, BE, ShBA dhe shtete të tjera, Izraeli pati nisur një ofensive ushtarake në Rripin e Gazës. Tri javë më vonë, brenda një nate u pikturuan 250 yje të kaltra të Davidit në ndërtesa të ndryshme të Parisit. “Kjo të kujton ditët më të këqija të Holokaustit”, deklaroi Borrell. Imazhet nga Parisi u përhapën shpejt në mediat sociale dhe disa komentatorë ia vunë menjëherë fajin komunitetit mysliman. Por, një javë më vonë autoritetet franceze identifikuan një fushatë dezinfomimi mbase ruse, tha Borrell.

Në muajin nëntor, Ministria e Jashtme franceze bëri përgjegjëse për shpërndarjen e imazheve të yjeve të Davidit, rrjetin rus Recent Reliable News (RRN) ose ndryshe – Të dyfishtit. Shtatë rusë me lidhje me RRN-në u futën më muajin korrik në listën e BE-së për të sanksionuarit. Autoritetet franceze vazhdojnë hetimet për të gjetur nëse për kryerjen e aksionit u dha ndihmë nga persona që ndodheshin jashtë vendit.

Në vitin 2014, EEAS krijoi projektin EUvsDisinfo. Vëzhguesit e tij i cilësojnë Të dyfishtët si një “operacion informimi online me shumë nivele, që fillon në Rusi dhe ka si objektiv shumë vende të botës”.

Përhapje informacionesh të sajuara ka pasur gjithnjë, pranon Borrell. “Por. tani ne jemi shumë më vulnerabël, sepse informacione të tilla përhapen me shpejtësinë e dritës”. 50 përqind e popullsisë së rritur të botës është thirrur këtë vit të marrë pjesë në zgjedhjet që zhvillohen në 60 vende të ndryshme. Shumë prej tyre janë objektiva sulmesh “të akterëve të huaj keqdashës”, thotë Borrell.

Kjo u vërejt për shembull vitin e kaluar në Spanjë. “Dy ditë para zgjedhjeve, agjentët rusë falsifikuan edhe një herë faqen zyrtare të internetit të qeverisë rajonale të Madridit”, tregon Borrell. Në faqen e ndryshuar bëheshin paralajmërime se organizata terroriste baske ETA (e cila është shkrirë tashmë) është ngjallur sërish dhe ka planifikuar të sulmojë qendrat e votimit.

European Digital Media Observatory financohet nga BE-ja. Nëntorin e kaluar kontrollorët e kësaj qendre vëzhgimi vërejtën se në të dhjetë vendet e vëzhguara evropiane janë përhapur dezinformata për procesin e zgjedhjeve. Pjesa më e madhe e këtyre vendeve bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian.

“Informacionet e sajuara kanë shpesh si synim të venë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve duke përhapur pretendime të pavërtetuara për mashtrime në zgjedhje, ushtrim ndikimi nga forca të huaja dhe kryerje praktikash të padrejta”, thuhet në raportin e këtij organizmi.

Akuzat e Borrellit dhe EEAS-it drejtohen kundër Rusisë, por edhe burime të brendshme përhapin shpesh informacione të sajuara. “Ne vërejmë shumë dezinfomata që lëshohen nga akterë brenda BE-së”, thotë Tommaso Canetta nga organizata politike Pagella Politica, që merret me verifikimin e fakteve. “Shumë të dëmshme dhe të rrezikshme janë dezinformatat kur përhapen nga politikanë dhe mediat tradicionale”. Në bisedë me DW, Canetta përmend pandeminë e koronavirusit. Në Portugali dhe Irlandë, dy vende me kuota të larta vaksinimi, mediat dhe politikanët ishin mbështetës të zbulimeve shkencore. Në dy vende me kuota të ulëta vaksinimi, në Bullgari dhe në Rumani, kampet e ndryshme ishin shumë të polarizuara, gjë që pati si pasojë ndikimin përkatës në debatin publik.

Numri i informacioneve të sajuara për Ukrainën është shumë i lartë, por verifikuesit e fakteve kanë vënë re se shumë përmbajtje kanë të bëjnë me ndryshimin e klimës, migracionin dhe refugjatët. Në Itali, për shembull, shumë pretendime të sajuara përhapen në lidhje me automjetet elektrike. Ato përfundojnë më shpejt në flakë sesa automjeti me motor që punon me karburant, ose në dimër ngecin më shpesh në rrugë sesa automjetet e tjera. Informacione të gabuara për refugjatët dhe mungesën e banesave ndezën nga ana tjetër trazirat e fundit në Dublin, thotë Canetta.

Ku të çon e gjitha kjo?

Borrell flet për një “betejë tregimesh të sajuara”, e cila duhet fituar. Dezinformatorët rusë ai i quan “instrument i zhvilluar lufte”.

Por, në raportin e EEAS-it bëhen paralajmërime edhe që rreziqet e mundshme të mos ekzagjerohen. Rënia e shpejtë në gjurmë të dezinformimeme dhe luftimi i tyre luajnë rol në luftën kundër informacioneve po ashtu si rritja e kompetencave mediatike të popullsisë.

Për shumë qytetarë të BE-së, zgjedhjet për Parlamentin e BE-së janë më pak të rëndësishme sesa zgjedhjet kombëtare, mendon Canetta. Prandaj, rreziku që në këto zgjedhje të përsëritet çfarë ndodhi në ShBA dhe Brazil nuk është shumë i madh. Atje pati shpërthime dhune, pasi mbajtësi i postit, Donald Trump, përkatësisht Jair Bolsonaro, i humbën zgjedhjet. “Unë shqetësohem shumë se mund të sulmohen projektet e mëdha të BE-së si Green Deal ose plani për raste pandemie”, shpjegon Canetta. “Rreziku më i madh është se forca ekstremiste mund të prishin konsensusin dhe kështu edhe qëndrimin e BE-së për çështje të caktuara”. /DW/